Masakra e Qafë-Gjashtës, prokuroria grumbullon mbi 65 dëshmi për ngjarjen
Mbi 65 persona do të thirren nga prokuroria për të dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin për ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997 në Qafë Gjashtë të Sarandës, ku, disa persona të armatosur vranë punonjësin e policisë Gjergji Mehmeti si dhe plagosën dy të tjerë, të cilët ishin duke udhëtuar me shërbim pune nga Vlora në drejtim të Sarandës.
Në këtë proces, i cili pritet të nisë së shpejti në Gjykatën e Krimeve të Rënda, do të thirren për të dëshmuar krahas të tjerëve edhe disa ish- drejtues të strukturave të rendit të asaj kohe.
Sipas dosjes së përgatitur nga prokuroria, në bankën e të akuzuarve si autorë të ngjarjes së rëndë, do të ulen shtetasit Vladimir Sinani, vëllai i tij, Nestor Sinani, Edmond Sejko, Leonard Theodhori, Alqi Paguni. Ndërsa do të procedohet në mungesë Eduart Çipa, i cili është shpallur në kërkim nga autoritet policore.
Për dokumentimin ligjor të ngjarjes, organi i akuzës ka siguruar materiale të shumta hetimore, me të cilat do të kërkohet faktimi i akuzave për të pandehurit.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë u rihapën në verën e vitit 2005, nga prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila tashmë ka përfunduar hetimet dhe e ka çuar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Disa ditë më por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur me 4 mars 1997 dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim ndaj dhjetë të pandehurve. Prokuroria për rreth një vit ka hetuar rreth krimit të rëndë, ku mbeti i vrarë dhe më pas u dogj në makinë ish-efektivi i Komisariatit të Policisë Vlorë, Gjergji Mehmeti, i cili në atë periudhë ushtronte funksionin e komandantit të togës në Repartin e Policisë së Rendit.
Sipas prokurorisë, grupet e armatosura mbajtën peng dhe keqtrajtuan për disa ditë me radhë dhe efektivin Eduart Aliaj. Sulmit të armatosur mundi t'i shpëtonte Sokol Bizhga, në atë kohë shef i krimeve në Vlorë, si dhe Myzafer Blushi, punonjës policie. Efektivët ishin nisur drejt për të rivendosur rendin dhe qetësinë, por ranë pre e sulmeve të armatosura. Gazeta ka mundur të sigurojë kërkesën për gjykim dhe po e boton të plotë.
...