E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS, të vendosur për çuarjen deri në fund të Reformës Zgjedhore

Komisioni Kuvendor për Reformën Zgjedhore, përfundoi dy ditë më parë hartimin me konsensus të 183 neneve të Kodit të Zgjedhor, të cilin pritet ta miratojë Parlamenti javën e ardhshme. Me miratimin e mundshëm të Kodit Zgjedhor nga Parlamenti, javën e ardhshme, pritet që KQZ-ja e re me shtatë anëtarë të jetë funksionale muajin e ardhshëm. Sipas Kodit të ri, që pritet të miratohet sipas variantin aktual, KQZ-ja e re duhet të fillojë punë brenda 30 ditëve nga miratimi i ligjit zgjedhor. Ndërkohë, partitë e mëdha PD dhe PS, vazhdojnë të jenë të vendosura për të miratuar Kodin Zgjedhor, seancën e ditës së enjte, javën e ardhshme, pavarësisht grevës së dhjetë 10 deputetëve që janë ngujuar në sallën e Parlamentin që prej ditës së hënë, të cilët kundërshtojnë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Një nga deputetët e PS-së, Arben Malaj, duke komentuar dje edhe grevën e urisë së dhjetë deputetëve, la të kuptojë se Kodi i ri Zgjedhor, do të votohet. “Dialogu politik organizohet mes partive politike dhe jo mes individëve për sa i përket krizës mendoj se nga pikëpamja etike është një moment që kërkon një vlerësim sa më të drejtë. Vëmendja dhe tensioni mbi këto dy ligje do të cenohet”, u shpreh Malaj.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, erdhi si nevojë e ndryshimi të sistemit zgjedhor, por dhe si nevojë për të shmangur problematikat e proceseve të mëparshme zgjedhore, në kuadër të përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Risia kryesore e tij mbetet ndryshimi i sistemit, nga sistem mazhoritar në proporcional rajonal. Tjetër moment i këtij dokumenti është thjeshtëzimi i administrimit të procesit zgjedhor, si dhe numërimi i votave. Ky i fundit, sipas rregullimit ligjor të bërë në Kod, siguron një transparencë të gjerë, për shkak të futjes së teknologjisë në procesin e numërimit. Kapitulli më i rëndësishëm, që solli dhe reagime nga partitë e vogla parlamentare, është ai që flet për përbërjen e komisioneve zgjedhore në të tre nivelet. Sipas Kodit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) do të kenë nga shtatë anëtarë, ku natyrisht do të ruhet balancimi i detyruar politik. Kodi i ri Zgjedhor, parashikon edhe procedurën e ankimimit. Sipas Kodit të ri, ankimimi, si një proces, që do të kryhet përsëri në dy nivele, në atë administrativ (KQZ) dhe atë gjyqësor (Kolegji Zgjedhor)
Ndërkohë, pjesë e Kodit Zgjedhor, janë edhe parashikimi i sanksioneve. Sipas nenit 167 të këtij kodi, sanksionet parashikohen për të gjithë ata që do të shkelin dispozitat ligjore. Për raste të tilla të mundshme, parashikohen masa të forta administrative, duke filluar nga gjobat e rënda në lekë e deri tek heqja e lirisë. Financimi i fushatës në Kod parashikon ashpërsim dhe masa penalizuese ndaj të gjitha rasteve të shkeljeve nga subjektet apo kandidatët në zgjedhje. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore do të ndëshkohet me gjobë, nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë. Për herë të parë parashikohen dhe gjoba për rastet e thyerjes së heshtjes elektorale, jo vetëm për subjektet zgjedhore, por edhe për median e shkruar e vizive që e transmeton atë.

Anëtarët e komisioneve
KQZ-ja
KQZ-ja ka 7 anëtarë, të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh. KQZ formatohet sipas formulës 2 anëtarë PD, 2 anëtarë PS, 1 anëtar nga forcat e vogla të spektrit të djathtë, 1 anëtar nga forcat e vogla të spektrit të majtë. Kryetari do t'i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari partisë kryesore të opozitës.

KZAZ-të
KZAZ-të ka 7 anëtarë, që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari zgjidhet me short mes PD-së dhe PS-së.

KQV-të
KQV-të ka 7 anëtarë që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari zgjidhet me short mes PD-së dhe PS-së.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›