Masakra e Tivarit, të rrëfehet Ramiz Alia

Ish-presidenti Ramiz Alia duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit, e cila është edhe krimi më monstruoz i kryer në Gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë e cilësoi Alinë si një xhelat dhe theksoi se ai duhet të jepte llogari edhe për të gjitha krimet ku kishte marrë pjesë. “Ai është një xhelat, deri sa nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit”, theksoi Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit demokrat. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë theksoi se Ramiz Alia ishte i vetmi që e mbështeti kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në grevën që ai ndërmori për hapjen e kutive të votimit. Sipas Berishës, askush tjetër nga qytetarët shqiptarë nuk e mbështeti këtë grevë.
“Në qoftë se nuk e përkrahu kush në vend dhe në botë këtë vendim dhe këtë akt të zotit Rama, një njeri e përkrahu publikisht atë dhe ky ishte Ramiz Alia, diktatori i fundit. Por, nga ana tjetër, dua të them dhe ndër më të ligjtë e diktaturës”, theksoi Berisha. Por në fjalën e tij, Berisha u përqendrua kryesisht te procesi i liberalizimit të vizave. Sipas kreut të qeverisë, komunikimi i komisioneres Malstrom, e cila deklaroi hapjen e procedurave, ishte një moment që pritej prej vitesh nga shqiptarët. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se liberalizimi i vizave është një proces i ardhur si meritë e reformave të shumta që ka ndërmarrë qeveria dhe kryesisht reformave që kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, sipas tij, meritë të veçantë në këtë proces ka edhe realizimi i zgjedhjeve të 28 qershorit të lira dhe të ndershme. “Vendimtare apo më themelore në këtë proces kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat ne u treguam vendeve anëtare të BE-së, vendeve anëtare të NATO-s, se kemi vullnet të hekurt, që të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe zhvilluam zgjedhjet të lira dhe të ndershme”, theksoi Berisha, duke shtuar se në këtë proces nuk pati asnjë provë manipulimi apo numërim të parregullt. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e ftoi edhe Edi Ramën që të jepte kontributin e tij në këtë proces dhe atë të integrimit në BE. “E ftoj zotin Rama të vazhdojë të bashkëpunojë në procesin e integrimit të vendit dhe në plotësimin e të gjitha atyre kërkesave që ka paraqitur Komisioni Europian”, theksoi Berisha. Sipas tij, kontributi i tij në këtë proces është në të mirë edhe të Partisë Socialiste.
#