Gjendet pas 24 orësh vajza e larguar nga shtëpia
Një vajzë 14-vjeçare nga qyteti i Korçës, e cila tentoi largimin për në Greqi pa dijeninë e familjes, është gjetur nga policia në Bilisht. E denoncuar nga prindërit si e zhdukur prej mëngjesit të së dielës, 14-vjecarja Sh. Xhambazi është rikthyer pas disa orë kërkimesh nga Policia rajonale e Korçës. Ajo është gjetur në qytetin e Bilishtit dhe ndonëse kishte përdorur fillimisht një identitet të rremë, ka pranuar më pas se ishte vajza e cila kërkohej nga policia pas largimit pa dijeninë e prindërve. Policia tha se 14-vjeçarja Sh. Xhambazi kishte ikur nga shtëpia që në mëngjesin e së dielës. Ndërsa prindërit e saj sinjalizuan në Komisariatin e Korçës në orët e pasdites, duke bërë që të fillonin kërkimet për gjetjen e saj. Kontrollet e policisë janë përqendruar në pikat kufitare, por edhe në qytetet pranë tyre. Pasi e ka kaluar natën jashtë, në rrethana që nuk bëhen të ditura, vajza 14-vjeçare është gjetur nga policia rreth 24 orë pasi kishte ikur nga shtëpia. Ajo ka deklaruar se do të largohej në Greqi sepse keqtrajtohej nga babai dhe do të shkonte në vendin fqinj për t’i shpëtuar dhunës së tij. Por fakti që largimi i saj është denoncuar nga prindërit, kalimi i natës jashtë dhe ikja vetëm me tuta sportive nga banesa, ka bërë të dyshohet se vajza 14-vjeçare mund të ketë synuar të shkojë në Greqi nga premtimi i ndonjë të riu apo personi që e shoqëronte atë. Policia nuk ka bërë të ditur nëse vajza 14-vjeçare mund të trafikohej në Greqi, pasi ajo ka pohuar se kishte ikur me dëshirë nga shtëpia, pa ndihmën e askujt.
#