E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohet Festivali i Riteve Pagane dhe Lojërave Popullore

Antigone

Në mjediset e “muzeut të hapur” të Parkut Arkeologjik të Antigonesë në Gjirokastër, përgjatë dy ditëve, rreth 20 grupe përfaqësuese nga krahina të ndryshme të vendit morën pjesë në veprimtarinë kulturore Festivali IV i Riteve Pagane dhe Lojërave Popullore - Antigone 2010. Ky festival është një nga veprimtaritë më masive të fokusuara në fushën e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore që ka nisur të organizohet çdo vit, prej 2007-s nga stafi i zyrës për administrimin dhe koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Organizatorët dhe komuniteti i banorëve të zonës e shfrytëzojnë veprimtarinë jo vetëm për zhvillimin e turizmit kulturor në këtë zonë, por edhe për të ruajtur rite dhe tradita të lashta që janë duke u zhdukur, për të nxitur dëshirën e moshave të reja për të interpretuar ritet dhe lojërat e lashta pagane. Të shtunën dhe të dielën, Festivali IV i Riteve Pagane dhe Lojërave Popullore - Antigone 2010, ka pritur 20 grupe të të gjitha moshave, të cilët shfaqën mes rrënojave antike të Antigonesë rite të ndryshme pagane dhe lojëra popullore që ruhen ende në këto komunitete. U pëlqyen veçanërisht grupi i Gramshit me ritin humoristik të “Mullixhiu bluan sevdanë” dhe rite të dasmës gramshiote, grupi i Mrezhanit Këlcyrë me lojërat e lashta “Kalaja e çobanit” dhe “Muri i rrëzuar”, grupi i “Asim Zenelit” “Riti i yshtjes” dhe “Lojën e marramendjes”, grupi i Komunës Kërrabë nga Tirana me “Riti i dordolecit”, Ritet e Ditës së Verës, grupi i Lunxhërisë me ritet “Dita e Manakut”, “Boganiqet”, “Muçi ha baltë” dhe “Ikni gjarpërinj” etj. çmimin e parë të festivalit e meritoi grupi i shkollës së mesme ekonomi-turizëm “Antoni Athanas” nga Saranda me interpretimin e “Legjendës së Kaut” një inskenim me legjendën simbol të krahinës së lashtë të Kaonisë që u ekspozua për herë të parë përpara publikut. Festivali u shoqërua edhe me veprimtari të tjera promovuese, si panairi i zejeve dhe kuzhinës tradicionale të Lunxhërisë organizuar nga Komuna Antigone, promovimi i librit me karakter studimor për ritet e lashta të bregdetit jonian me titull “Marrëdhënie të riteve dhe kulteve të bregdetit jonian dhe ato ndërkufitare” të autores Irena Gjoni (Papa) etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›