E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Devoll, vdes i fundmi i Mullirëve

Etlevan..................... Murri ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm në Spitalin Ushtarak. Në Vidohovë u zhvillua ceremonia për varrosjen e dy vëllezërve të tjerë

Liljana Mulliri, e dënuar për vrasjen e një 8-vjeçari, mbërrin në fshatin e saj për të varrosur dy djemtë 25 dhe 23-vjeçar

DEVOLL- Shuhen të tre pasardhësit e familjes së Xhevahir dhe Liljana Mullirit. Masakra e Vidohovës merr përmasa të tjera, ndërsa në Spitalin Ushtarak ndërroi jetë edhe vëllai i vogël i familjes Mulliri.

Ndërsa autori i kësaj ngjarjeje është ende i lirë, akuza të forta vijnë nga babai i viktimave për policinë e Devollit. Ai ka kërkuar ndihmën e efektivave për gjëmën që po i kanosej shtëpisë së tij, ndërsa thotë se policia nuk ka marrë asnjë masë për të parandalur këtë vrasje të trefishtë.

Madje, Xhevahir Mulliri bën të ditur se vetëm pas njoftimit me mesazh të kryeministrit Berisha policia ka mbërritur në vendngjarje, megjithëse me më shumë se dy orë vonesë.

***

Vidohova, fshati kufitar me Greqinë, duket se është shumë i vogël për një tragjedi me këto përmasa. Me qindra banorë të tij qëndrojnë në shtëpinë e Mullirëve, tashmë pa pasardhës, për t'i përcjellë dy prej vëllezërve në banesën e fundit. Dy kufoma duket se nuk i nxë dhoma e vogël, teksa lajmi i kobshëm i vdekjes edhe të djalit më të vogël duket se i ka shokuar të gjithë.

Por drama kalon kufijtë e imagjinatës kurse lotët dhe kuja janë shumë pak para kësaj ngjarjeje të rëndë dhe një dhimbje që nuk mund të ketë përmasa. Liljana Mulliri, nëna e tre viktimave, e dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e një 8-vjeçari, kishte mundur të merrte leje për disa orë për varrosjen e dy djemve të saj, ndërkohë që është mësuar se edhe i vogli 17-vjeçar ka ndërruar jetë.

***

Forca të shumta policore kanë rrethuar prej afro 24 orësh fshatin kufitar me Greqinë, në kërkim të autorit, por dhe të sigurisë për familjen Mulliri, e cila ndihet ende e kërcënuar nga hakmarrja e Besim Karajit 40-vjeçarit nga Thumana e Krujës, dhëndër prej shumë vitesh në fshatin e tyre.

Nën këtë presion, por dhe atë të një krimi me përmasa të jashtëzakonshme është zhvilluar ceremonia mortore e vëllezërve Xhilian Mulliri 25 vjeç dhe e vëllait të tij, strumbullarit të kësaj ngjarjeje, Taulantit 23-vjeçar.

Mes lotëve që ndoshta janë më të shumtët e derdhur ndonjëherë në këtë fshat, si dhe pranisë së qindra banorëve, është pritur nga mëngjesi mbërritja e Liljana Mullirit. Ajo kthehet në fshat pas pesë vjetësh, e shoqëruar nga forca të shumta të policisë së burgjeve për të përcjellë në banesën e fundit dy fëmijët e saj.

Ardhja e Liljanës rreth orës 13:30 ka qenë një nga momentet më të dhimbshme, ndërsa më parë ish-bashkëshorti i saj Xhevahir Mulliri 50-vjeçar kishte deklaraur se e pranonte ish-gruan të varroste dy djemtë e saj.

46-vjeçarja është pritur nga e motra, pa pranga në duar, por me prangat e përjetshme të vdekjes të bijve të saj, si një mallkim që i erdhi pas një krimi nga vetë ajo ndaj një fëmije të pafajshëm.

Dhimbja ka qenë shokuese për të gjithë, teksa policia ka shoqëruar në çdo hap të burgosurën, së cilës nuk i është dhënë lajmi për vdekjen e djalit më të vogël në Spitalin Ushtarak. Ndërkohë, nusja e Xhilianit 25-vjeçar, tashmë ka mbetur e ve. Të martuar prej rreth dy vjetësh, ata nuk ishin gëzuar ende me një fëmijë, në mënyrë që familja Mulliri të kishte trashëgimtarin e saj.

***

Xhilian, Taulant dhe Etlevan Mulliri u qëlluan me armë mesditën e së premtes nga Besim Karaj. Shkak për ngjarjen ishte një marrëdhënie jashtëmartesore e Taulantit 23-vjeçar me gruan e Karajt. Nga kjo marrëdhënie nëna e tre fëmijëve kishte mbetur shtatzënë.

Pas mësimit të ngjarjes, në një kohë që rreth dy muaj më parë Besimi kishte kapur të shoqen dhe Taulantin në flagrancë, ai i është drejtuar me një kallashnikov lokalit të familjes Mulliri.

Atje ka qëlluar fillimisht kundër Taulantit, duke e lënë të vdekur, më pas ndaj Xhilianit 25-vjeçar dhe në fund edhe ndaj Etlevanit. Vetëm kur është siguruar se të tre nuk kishin mundësi shpëtimi, 40-vjeçari është larguar në drejtim të paditur. I vogli i Mullirëve, Etlevani, ndërroi jetë mëngjesin e së shtunës në Spitalin Ushtarak.

***************

Flet babai i viktimave: Policia m'i vrau djemtë

Babai i tre viktimave, Xhevahir Mulliri, ka folur për herë të parë lidhur me krimin e paralajmëruar prej afro dy muajsh nga vrasësi 40-vjeçar.

Sipas tij, pas kapjes në flagrancë të djalit të tij Taulantit dhe bashkëshortes së Karajt, 27-vjeçare, Besimi ka vendosur të hakmerret. Fillimisht ai ka pasur një bisedë me babanë e djalit me kërkesë të këtij të fundit për ta mbyllur këtë çështje.

Por shtatzënia e padëshiruar e gruas me të dashurin shumë më të ri nuk mund të pranohej nga Karaj, i cili ka vendosur të hakmerret kundër gjithë meshkujve të familjes Mulliri. "Unë e kam paralajmëruar këtë krim dhe kam kërkuar ndihmë në policinë e Devollit, por drejtuesit e saj janë tallur me hallin tim.

I kam bërë të ditur shefit të krimeve të Devollit dhe shefit të komisariatit për kërcënimet që më vinin nga Besmir Karaj, por askush nuk ma vuri veshin. Madje iu kam thënë që ai lëvizte i armatosur në fshat për të na vrarë, por dhe kjo nuk e ka vënë në lëvizje policinë. Sa herë që shkoja për ndihmë ata më kërkonin dëshmitarë për të provuar fjalët e mia dhe më nxirrnin jashtë.

Edhe për ngjarjen m'u desh të njoftoja me mesazh Sali Berishën dhe presidentin që të vinte policia, e cila është vonuar shumë. Unë kërkoj drejtësi, dhe fajtor për këtë gjëmë që më ka gjetur, bëj vetëm policinë, e cila nuk mori masa në kohë që djemtë e mi të mos më vriteshin", ka pohuar babai 50-vjeçar i tre vëllezërve Mulliri.

Madje, ai tregon se prej më shumë se një muaji vrasësi për çdo natë bënte rojë para shtëpisë së tyre me automatik, duke u parë nga të gjithë banorët, ndërsa kishte shpenzuar 4 milionë lekë për të vrarë vellezërit dhe për të vënë nderin e familjes në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›