E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau nënën, 29-vjeçarja: Ishte aksidentale

Anila Angjo është paraqitur dje në gjykatë, ndërsa akuzohet për "vrasje me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje"

Vajza e birësuar u shpreh se pavarësisht konflikteve me të ëmën, nuk kishte menduar për ta vrarë atë
POGRADEC -E mbledhur kruspull në një ditë të ftohtë dimri në sallën e gjyqit, 29-vjeçarja Anila Angjo ka dëgjuar akuzën dhe më pas ka dhënë shpjegimet rreth vrasjes së të ëmës, Shpresës. Në orën 10:30, në sallën kryesore është zhvilluar gjyqi për masën e sigurisë ndaj vajzës që para tre ditësh vrau nënën e saj me një plumb në zemër. Sapo policët e kanë vendosur tek kafazi me hekura në sallën e gjykatës, ajo ende pa filluar gjyqi i ka thënë me lot në sy avokatit të saj Ardian Çela se kishte shumë frikë se mos e dënonin me vdekje. Pasi prokurori Rushit Hamzallari ka paraqitur ngjarjen, 29-vjeçarja e ka pranuar akuzën, teksa është shprehur se ajo nuk e ka goditur të ëmën me hekur. Gjithashtu, Anila ka dëshmuar se nuk donte ta vriste të ëmën dhe se ka dashur të qëllojë në ajër si dhe herën e parë, por teksa i ati i kishte kapur krahun për të mos qëlluar më, ajo kishte tërhequr këmbëzën e pistoletës dhe plumbi kishte shkuar aksidentalisht tek e ëma. "Edhe pse grindeshim, unë nuk desha ta vras, - u shpreh ajo. - Atë mëngjes u nxeha keq pasi se si ia bëri buzët tim eti kur po më qortonte". Pas pyetjes së gjyqtarit se ku e kishte gjetur pistoletën ajo iu përgjigj se e kishte blerë për 200 mijë lekë të vjetra. Angjo u shpreh se e kishte blerë pasi një grua e kishte kërcënuar se do ta vriste, duke e akuzuar se i kishte marrë të dashurin. Kreu i trupit gjykues, Niko Rrapi, vendosi masën "burg pa afat" për 29-vjeçaren, e cila akuzohet për "vrasje me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje". Anila është birësuar nga familja Angjo kur ishte e mitur. Me nënën e saj biologjike ajo është njohur në vitin 2001, kur kjo e fundit ka ardhur për ta takuar dhe ka qëndruar për dy ditë në shtëpinë e saj. Më pas ajo nuk ishte dukur më. 29-vjeçarja është shprehur e penduar, duke deklaruar se prindërit e kishin mbajtur shumë mirë dhe, edhe pse nuk punonte, i ati i kishte blerë makinë. Sipas prokurorisë, më datën 26.1.2010 në lagjen nr.2 tek familja e Jovan Angjos është kryer një krim nga vajza e tyre e adoptuar. Grupi hetimor ka shkuar në shtëpi dhe ka gjetur të vrarë me plumb në zemër 66-vjeçaren Shpresa Angjo. Në shtëpi pas krimit ndodhej edhe autorja Anila. Prokurori i çështjes tha se në orën 3:30 të mëngjesit ajo është futur në dhomën e gjumit të prindërve duke u kërkuar cigare. Por pasi i ati i ka dhënë paketën, vajza ka vijuar sërish me kërkesa, teksa ka filluar edhe konfliktin me të ëmën. Kjo e fundit është ngritur nga krevati e ka shkuar në kuzhinë, por 29-vjeçarja i ka shkuar pas dhe e ka goditur me një hekur. Më pas ka shkuar në dhomën e vet dhe është kthyer me një armë, me të cilën ka qëlluar një herë në ajër, ndërsa me plumbin e dytë ka qëlluar në zemër të ëmën, duke i shkaktuar vdekjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›