E Shtunë, 31 Tetor 2026

E tradhton gruaja, plumba tre vëllezërve

Xhilian dhe Taulant Mulliri kanë mbetur të vdekur pas plumbave të marrë. Në gjendje të rëndë vëllai i vogël

Policia ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin Besim Karaj, i cili dyshohet që të jetë larguar për në shtetin grek

DEVOLL- Tre vëllezër mbeten viktima të plumbave të lëshuara nga një 40-vjeçar, teksa dy prej tyre vdesin në çast, ndërsa i vogli ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja ndodhi në fshatin Vidohovë të Devollit rreth orës 12:30 të së premtes, ndërsa shënjestra ishin vëllezërit Mulliri. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se Xhilian dhe Taulant Mulliri, përkatësisht 25 dhe 23 vjeç, kanë humbur jetën për shkak të plumbave të marrë, teksa për vëllanë e tyre të vogël, rreth 16 vjeç, ka ende shpresë. Mësohet se shkak për ngjarjen ka qenë një marrëdhënie jashtë martesore që vëllai i dytë kishte me një grua të fshatit, nënë e tre fëmijëve, të cilën gjithashtu e kishte lënë shtatzanë. Ishte pikërisht bashkëshorti i saj ai që përmes armës ka vendosur të vërë në vend nderin e nëpërkëmbur.
Ngjarja
Një telefonatë ka mbërritur nga Vidohova në polici rreth orës 12:30 të së premtes, ku njoftohej për një krim të kryer dhe tre viktima, të gjithë vëllezër dhe djem të rinj. Fshati Vidohovë gjendet 30 kilometra larg qytetit të Bilishtit, ndërsa është cepi më i largët i gjithë rajonit të Korçës. Besim Karaj, banor i këtij fshati, ka qëlluar me kallashnikov vëllezërit Mulliri, dy prej të cilëve kanë mbetur të vdekur në vend. Autori i ngjarjes, i cili ka ardhur disa vite më parë nga Mamurrasi për shkak të lidhjes martesore, ka vendosur të vrasë në zemër të fshatit njërin prej vëllezërve Mulliri, ndonëse më pas i ka qëlluar të tre. I vetëm, me një kallashnikov të fshehur në brendësi të xhaketës, Karaj ka zbritur në lokalin në pronësi të vëllezërve Mulliri, ndërsa jashtë tij i ka gjetur të tre. Xhiljan Mulliri, 25 vjeç, Taulanti 23-vjeçar, si dhe Edelvan Mulliri, 16 vjeç, janë kthyer në shënjestrën e vrasësit. Ai ka qëlluar mbi Taulantin, për të cilin dinte se kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me gruan e tij. Fillimisht ai e ka goditur shënjestrën në këmbë që të mos largohej dhe më pas në gjoks dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe me vëllanë më të madh të tij, 25-vjeçarin Xhiljan Mulliri. Ndërkaq, vëllai i tyre më i vogël Edelvan Mulliri është qëlluar me automatik disa metra larg lokalit, duke mbetur i plagosur në gjendje të rëndë. Policia ka mundur me vështirësi të transportojë të plagosurin në spitalin e Bilishtit dhe mandej me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Autori ka kërcënuar se do të vriste dhe disa bashkëfshatarë të cilët kanë parë ngjarjen, ndërsa për disa minuta ka qëlluar në ajër duke bërë terror në të gjithë fshatin për të larguar çdo mundësi ndihme. Kur është siguruar se ka vrarë vëllezërit fatkeqë, ai është larguar duke u drejtuar në një mal të fshatit që dyshohet ta ketë kaluar për të hyrë në thellësi të territorit grek.
Tradhtia
Tradhtia bashkëshortore dhe një barrë e padëshiruar me të dashurin ka shkaktuar një fatkeqësi në fshatin kufitar. Nga hetimet paraparke mësohet se bashkëshortja e Karajt kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me Taulant Mullirin. Madje, historia e tyre njihej nga i gjithë fshati. Së fundi, gruaja, nënë e tre fëmijëve, kishte mbetur shtatzënë, fakt që ishte mësuar nga u shoqi. Ky i fundit ka vendosur të vërë në vend nderin e familjes së tij. Për këtë ai ka vendosur që drejtësinë ta bëjë me automatik, duke i vrarë të tre vëllezërit. Sipas të njëjtave burime, mësohet gjithashtu se kjo tradhti ishte formalizuar me një fakt që Karaj nuk mund të harronte. Pak kohë më parë, ai kishte kapur çiftin në kushtet e flagrancës, ndërsa avancimi i marrëdhënies dhe me një fëmijë të jashtëligjshëm e ka çuar ngjarjen në kufijtë e vet.
Operacioni
Policia e juglindjes ka nisur operacionin për kapjen e Besim Karajt. Mendohet që si njohës i terrenit ai të ketë kaluar ilegalisht kufirin, ndërkohë që Drejtoria e Policisë në Korçë ka kërkuar përforcime nga forcat RENEA. Një kontigjent prej tyre ka mbërritur në Vidohovë, teksa ka vijuar kërkimin për të gjetur vendndodhjen e autorit. Ndërkohë, banorët e fshatit të vogël janë terrorizuar. Pas disa kontrolleve në dy banesa të fshatit, është bërë një krehje e plotë e zonës, megjithëse trashësia e dëborës është e madhe dhe terreni shumë i vështirë. Ndërkaq, është kërkuar ndihmë nga pala greke, së cilës i është dhënë informacion i detajuar lidhur me të kërkuarin bashkë me foto të tij.
Dëshmia
Maksut Merolli është një nga të paktët dëshmitarë okularë që ka parë vrasjen e tmerrshme në qendër të fshatit. Ende i shokuar ai tregon: "Unë pashë Besimin të zbriste në qendër të fshatit. Mbante xhaketën fort, por nuk mendova se do të kishte armë. Nxori kallashnikovin dhe qëlloi mbi Taulantin dhe pastaj mbi dy vëllezërit e tjerë që sapo kishin dalë nga lokali. Ai bëri thirrje të mos afrohej askush tjetër se do të qëllonte, ndërsa vazhdoi për disa minuta duke qëlluar në ajër derisa i mbaroi të gjithë fishekët. Pasi u sigurua që i kishte mbaruar, u largua i qetë në drejtim të malit, ndërsa ne vazhdonim të kishim frikë nga ndonjë tjetër breshëri e tij. Në fshat e dinim që Taulanti kishte një marrëdhënie me gruan e Besimit, por mendonim se gjithçka ishte mbyllur",- ka pohuar për gazetën në një rrëfim tronditës Merolli. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen kanë qenë të paktë, ose të paktën kështu i kanë deklaruar edhe policisë nga frika e ndonjë hakmarrjeje ndaj tyre. I vetmi që ka guxuar të rrëfejë krimin, është 59-vjeçari që nuk mundi të jepte dot ndihmë vëllezërve.

Liljana Mulliri e dënuar me 25 vjet burg ka marrë leje për të qenë e pranishme në varrimin e dy djemve të saj të vrarë
Nëna e tre djemve vrau një 8-vjeçar në 2003-shin
Familja Mulliri u bë "e njohur" vite më parë për shkak se mamaja e tre djemve, Liljana Mulliri, u akuzua dhe më pas u dënua për vrasjen e një fëmije 8-vjeçar. Ngjarja e ndodhur në vitin 2003 u zbulua vetëm dy vjet më pas. Gruaja atëherë 39-vjeçare kishte marrëdhënie jashtëmartesore me një 25-vjeçar. Pas një konflikti me këtë të fundit ajo vrau dhe më pas copëtoi trupin e vogëlushit Albert Xhihani, si hakmarrje ndaj të dashurit. Për këtë ajo u dënua me 25 vjet heqje lirie, teksa tashmë e vuan dënimin në burgun 325 në Tiranë. Pas vrasjes së dy djemve, mësohet se Liljana Mulliri ka paraqitur kërkesën për të qenë në varrimin e tyre, kërkesë që i është pranuar nga drejtoria e burgjeve. Pritet që sot ajo të marrë pjesë në varrimin e djemve 23 dhe 25-vjeçar. Djali i madh, Xhiliani mësohet se ishte martuar dy vjet më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›