Vdes një 53-vjeçare, bluzat e bardha nën hetim

QSUT/ Drita Gixhari është ankuar gjatë gjithë kohës për dhimbje në bark dhe është çuar nga të afërmit në urgjencë
Mjekët: Vdekja e gruas erdhi për shkak të bllokimit të venës që furnizon zorrët me gjak. Nuk mund të kurohej
TIRANË - Të afërmit e çojnë në spital për shkak të dhimbjeve të padurueshme të barkut, por 53-vjeçarja ka gjetur vdekjen vetëm 12 orë më pas, në kohën që do t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në një venë në afërsi të aortës.
Drita Gixhari, 53 vjeçe, banuese në rrugën "Besa" në Tiranë, vdiq mëngjesin e së shtunës kur kishte mbërritur për të dytën herë në urgjencën kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Herën e parë ajo ishte përcjellë nga mjekët pas marrjes së tre qetësuesve, por kthimi në shtëpi nuk ka përmirësuar asgjë.
Gruaja ka pasur shqetësime edhe më të mëdha dhe dhimbje të padurueshme. Një gjë e tillë ka bërë që familjarët ta ridërgojnë në urgjencë, ku më pas është marrë vendimi për futjen e saj në sallën e operacionit, por ndërkohë 53-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Menjëherë pas ngjarjes policia ka administruar një kallëzim të të afërmve të viktimës që akuzonin mjekët për neglizhencë dhe për mjekim të pakujdesshëm. Menjëherë kanë nisur hetimet për ngjarjen me qëllim sqarimin e rrethanave të vdekjes së gruas.
Ndërkaq, nga burime të spitalit civil në kryeqytet mësohet se vdekja ka ndodhur nga një trompozë në një venë të quajtur mezenterike (mesenterica tromposa) e cila furnizon me gjak kryesisht zorrët dhe është një nga degëzimet e venës më të madhe të trupit.
Sipas mjekëve, gruaja ka pësuar patologjinë disa orë më vonë dhe është kuptuar në momentin që ajo ka ndier dhimbje. Ajo ka mbërritur në urgjencën e spitalit "Nënë Tereza", ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme prej të cilave është konstatuar se gjendja e saj ishte serioze për shkak të trompozës që ndodhej fare pranë aortës.
Në këto kushte është vendosur që Drita të futej në sallën e operacionit dhe janë marrë disa mjekë kirurgë për të kryer ndërhyrjen. Por gjendja e gruas është përkeqësuar në mënyrë të papritur dhe ajo nuk ka pasur shumë momente jete dhe ka vdekur.
Trupi i saj është përcjellë më pas në morgun e spitalit ku kanë nisur të kryhen edhe ekzaminimet mjeko-ligjore. Ndërkaq, policia e informuar për ngjarjen ka kryer një këqyrje të trupit të gruas, ndërsa specialistët mjeko- ligjorë duhet të përcaktojnë shkakun e vdekjes. Tre ekspertë mjeko- ligjorë janë ngarkuar për të kryer ekzaminimet përkatëse.
Policia ka administruar deklarimet e familjarëve të së ndjerës. Këta të fundit kanë rrëfyer se gruaja nuk ka pasur probleme me zemrën, por ka pasur dhimbje barku të padurueshme, ndërsa kanë theksuar se Gixhari kishte qëndruar gjatë gjithë natës në urgjencën e spitalit dhe në orët e para të mëngjesit mjekët e kishin përcjellë për në shtëpi pas bërjes së tre qetësuesve duke u thënë se s'kishte asnjë problem.
Vetëm një orë më pas ajo është rikthyer në spital për të humbur jetën rreth orës 10:30. Ndërkaq, janë marrë në pyetje mjekët që kanë sqaruar shkaqet e mundshme të trompozës dhe mënyrën se si ajo vjen. Policia ka administruar pretendimet e palëve dhe po pret një ekzaminim mjeko-ligjor.
***********************
DËSHMIA
Djali i viktimës: Mjekët, neglizhentë ndaj dhimbjeve të nënës
Një nga djemtë e Drita Gixharit që vdiq dje në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë, akuzon mjekët për vdekjen e nënës së tij.
Bashkim Gixhari, 25 vjeç, djali i fundit i viktimës, tregon në një intervistë për "Shekullin" se nëna e tij vdiq nga neglizhenca e mjekëve, pasi nuk kanë bërë ndërhyrjet mjekësore në kohën e duhur.
Bashkimi ka bërë një kallëzim në polici ndaj mjekëve të urgjencës kirurgjikale në QSUT dhe kërkon që të zbardhet shkaku i vërtetë i vdekjes.
Bashkim, çfarë simptomash kishte nëna juaj kur ishte akoma në shtëpi?
Kishte dhimbje të barkut, por jo shumë të forta, ishin pothuajse normale. Për merakun tonë e dërguam në spital, tek urgjenca kirurgjikale.
Në ç'orë e dërguat nënën në spital?
Të premten, rreth orës 22:30.
Kush ju priti në urgjencë?
Aty ishte mjeku i rojës, emri i tij nuk më kujtohet dhe na tha që të prisnim se nuk kishte gjë me rrezik.
Pritëm 15 minuta dhe pastaj mjeku i bëri dy qetësues rreth orës 23:00. Duke parë që nëna kishte dhimbje më të forta kërkova që të vinte një mjek më specialist. Prita 20 minuta dhe mjeku i rojës nuk thirri njeri.
Pastaj shkova vetë tek dhoma e mjekëve dhe kur hyra, më thanë të dilja jashtë. U thashë që e kam shumë keq nënën dhe i pyeta ç'do të bënim më tej dhe pas këmbënguljes sime erdhën dhe e kontrolluan gjendjen e saj.
Ç'ndodhi më pas?
I bënë një qetësues të tretë dhe më thanë se nuk ka asnjë lloj problemi serioz dhe pasi të qetësohej mund ta çonim në shtëpi.
Po nëna juaj vazhdonte gjatë kësaj kohe të kishte dhimbje?
Po. Sa më shumë kalonin minutat, nëna kishte dhimbje më të forta. Nga fjala e mjekëve për momentin mendova të nxirrja nga spitali, por nëna e ndjente që kishte dhimbje të forta dhe nuk mund të lëvizte nga shtrati.
Kështu që u kërkova që t'i bënin përsëri kontrolle të tjera, eko apo dhe ndërhyrje, por në këto momente mjekët u larguan të dy. Më pas shkova dhe takova një mjek tjetër roje që nuk ia mbaj mend emrin dhe më thotë që merre nënën dhe bëj një ekografi dhe analiza të tjera.
Mjekët vazhdonin të këmbëngulnin që nuk kishte probleme serioze, por më thanë që mund t'i bëja kontrolle të tjera. E bëjmë ekografinë dhe mjeku më thotë që nuk ka probleme për t'u shqetësuar, pasi ka vetëm një gur të vogël që ka lëvizur nga veshka.
Kthehem tek mjeku i rojës dhe më thotë përsëri që mos u shqetësoni, më jep një recetë dhe më thotë që mund të largoheni bashkë me nënën. Por nëna nuk lëvizte dhe nuk pranonte të vinte në shtëpi. Ndenjëm në spital deri në katër të mëngjesit dhe mjekët gjatë kësaj kohë ikën për të fjetur.
Si vepruat pastaj?
Kur e pashë që nuk po interesohej njëri më, e çova nënën në shtëpi rreth orës 4:30. Por pas 20 minutash e pashë që po përkeqësohej dhe mendova ta nis përsëri në spital, për kur e nisa për radhë të dytë e dërgova tek urgjenca tjetër.
Aty takoj mjekun dhe më thotë që dyshoj që mund të ketë diçka tjetër, dhe jo vetëm shqetësimin e barkut. Por përsëri më dërgojnë tek urgjenca kirurgjikale dhe aty i bëjnë disa kontrolle të tjera.
Kur më shikon mjeku i rojës, më tha që përse ke ardhur përsëri. Mjekët i bënë një ekografi tjetër dhe më thanë që ne tani po e shikojmë që paska diçka tjetër më serioze, por më drejtohen që nuk ka gjë për t'u shqetësuar.
Por dhimbjet e nënës vazhdonin të ishin të forta dhe ajo rënkonte vazhdimisht. Rreth orës 6:30 i bënë një qetësues dhe mjekët nuk na linin që ta shikonim gjatë kësaj kohe. Nga ora 7-10 asnjë mjek nuk erdhi për të parë gjendjen e nënës.
Kur ndërroi jetë nëna?
Pas orës 10:00 të paradites një mjek më thotë që do ta shtrojmë në spital. Por sapo nisëm ta çojmë në pavion, nëna dha shenjat e para të vdekjes. Duke e parë që ishte në gjendje të rëndë mjekët e çuan në reanimacion kur pothuajse nuk kishte shenja jete.
Pas tre minutash njëri nga mjekët që nuk më kujtohet emri, më thotë që kjo punë mbaroi dhe nëna kishte ndërruar jetë sapo ishte futur në sallën e reanimacionit. Isha vetë dëshmitar bashkë me babanë, dhe ishte plotësisht neglizhenca e mjekëve që nëna vdiq.
Ku e dërguat trupin e pajetë?
E dërguam në morg për t'i bërë autopsinë. Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore akoma nuk kemi marrë një përgjigje për shkakun e vdekjes.
Po në polici keni bërë kallëzim penal?
Po, disa orë pas vdekjes së nënës, kam shkuar në komisariatin nr. 4 dhe kam bërë një kallëzim penal, pasi jam plotësisht i bindur që nëna vdiq nga neglizhenca e mjekëve. Unë kam dhënë para oficerëve të policisë të gjithë dëshminë time.
Kërkoj që të ketë drejtësi në hetimin e vdekjes së nënës sime. Unë do të kërkoj me këmbëngulje që të zbardhet plotësisht e vërteta.
QSUT:
Pezullohen dy mjekët e urgjencës kirurgjikale
Pacientja Drita Gixhari e cila ndërroi jetë dje në Urgjencën e Kirurgjisë së QSUT-së kishte sëmundje të papajtueshme me jetën. Këtë e pohojnë për gazetën burime pranë QSUT-së të cilët theksojnë se ishte e pamundur nga ana e mjekëve shpëtimi i pacientes.
"Diagnoza e pacientes ka qenë trompozë e arteries mezenterike, e cila është një diagnozë e papajtueshme me jetën",- pohojnë burime të QSUT-së.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dha dje urdhër që dy mjekët që kanë qenë rojë, të pezullohen nga detyra deri në zbardhjen e çështjes.
Sipas ministrit, mjekët do të mbeten të pezulluar derisa të sqarohet çdo detaj i ngjarjes dhe të zbardhet e vërteta e saj, nëse qëndrojnë pretendimet e familjarëve të viktimës për neglizhencë të bluzave të bardha.