E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Durrës, Koci: Nishani të japë dorëheqjen

Dy ish ministrat që drejtuan Ministrinë e Brendshme reaguan sot për masakrën në Durrës. Petro Koci kërkon dorëheqjen e ministrit Nishani ndërsa Neritan Ceka fajëson autoritet për mospajisjen e policëve me veshjet e përshtatshme. 

TIRANE- Petro Koci, ish ministër i Brendshëm në vitet 1998-1999 deklaron se Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani duhet të japë dorëheqjen pas vrasjes së 4 policëve gjatë aksionit për kapjen e Dritan Dajtit.
“Është vendi për të ndërhyrë me masa të rrepta administrative ndaj përgjegjësve të këtij operacioni. Është vendi edhe për një reflektim politik nga drejtuesi i Ministrisë së Brendshme, i cili duhet të japë dorëheqjen. Kjo është një ngjarje që na rikthen atmosferën e vitit 97, kur në Shqipëri sundonte krimi dhe jo ligji, sundonin bandat dhe jo strukturat e policisë.” Theksoi Koci.
Më i zbutur në qëndrimin e tij është një tjetër ish ministër i brendshëm më shumë se 8 vjet më parë, Neritan Ceka. Pa folur për dorëheqje , Ceka i mshon më shumë gabimit për mospajisjen e policëve me veshjet e duhura.
“Mendoj që operacioni është zhvilluar me guxim, duhet të conte në paralizimin e të kërkuarit por reagimi ka qënë jashtë parashikimit. Drejtësia do të bëjë punën e vetë për dënimin e përgjegjësve por duhen nxjerrë edhe mësime për pajisjen e njerëzve që marrin pjesë në aksione të tilla me të gjitha mjetet e nevojshme” u shpreh Ceka.

Dy ish titullarët e Ministrisë së Brendshme, ndonëse ndajnë mendime të ndryshme për marrjen e përgjegjësive për masakrën e 7 gushtit, bashkohen në një mendim se ngjarja duhet të analizohet thellësisht për të mos lejuar më viktima në radhët e uniformave blu.

“Duke u nisur nga të dhënat paraprake kemi të bëjmë me një mangësi të theksuar profesionale. Organizimi dhe drejtimi i këtij operacioni përmban përgjegjësi të mëdha të cilat duhen identifikuar.” u shpreh Petro Koci.
“I takon prokurorisë të përcaktojë modalitetin se si është zhvilluar ky aksion, për të zbuluar gabimet e mundshme”theksoi Ceka.

Ngjarja e së premtes ka shënuar numrin më të madh të viktimave në radhët e policisë shqiptare që prej viti 1997. Një pjesë e politikës e sheh këtë si progres në radhët e uniformave blu, sidomos në këmbënguljen për ti vënë fre krimit të organizuar. Por zëra të tjerë që kryesisht i përkasin kampit të majtë deklarojnë se është goditur siguria e uniformave blu në vend, duke patur si shkak , sipas tyre, pa përgjegjshmërinë e drejtuesve të policisë dhe Ministrisë së Brendshme. (e.n/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›