E Diel, 1 Nëntor 2026

Të vuash bukur

Autori i Lajmit: Arben Idrizi
Nuk e jetojmë më jetën tonë – e jetojmë atë që na është detyruar nga rrethanat, rezultatet historike, shoqërore, politike, ekonomike e kulturore. Pra, do të mund të thoshim se ne sot e jetojmë jetën tonë pothuajse në atë instinktin natyror të jetesës. Që është: të mbijetosh. “The late late blues”

Do të kenë qenë poetët ata që e kanë sajuar shprehjen “të vuash bukur”. Dhe, shpeshherë, sajime të tilla poetike nuk janë veçse ca, të themi, trillime utopike. E të cilat, edhe në ndërmarrjen e tyre më dashamirëse dhe energjike, me vrullin dhe atributin e një ambicieje të përjetshme, nuk arrijnë përtej dhe në esencë nuk janë të destinuara pos për një marrës të kufizuar. Nuk përjashtohet e vërteta e tyre, por ajo s e përfshin masën. Në fushën religjioze, zakonisht, një përvijim i tillë merr konotacione të tjera. Sepse, gjithherë, “vuajtja e bukur” i referohet një autoriteti të mbinatyrshëm, një Krijese a Krijuesi të plotfuqishëm, të cilit ia kemi borxh edhe durimin, çdo durim të mundshëm, prandaj edhe pëlqimin, miratimin dhe dashurinë – të cilat në fund mund të dalin një mashtrim i madh. Epiteti utopi në këtë rast përfton edhe tipare të tjera që shkojnë drejt definimesh më radikale dhe arbitrare. Po nëse i japim realitetit tonë (në kuptimin e: tokësores) një fuqi determinuese, duke besuar në të, ose thjesht duke e vëzhguar, siç është e preferueshme dhe e sugjerueshme edhe nga skepticizmi, do të mund të shihnim se ai realitet, në të cilin jemi edhe në të cilin shpresojmë, për të cilin kemi dhënë kontributin tonë me veprimet ose indiferencën tonë, nuk na ofron ndonjë gjë të hairit, ose të themi më mirë: nuk na ofron atë që do të donim, pa e ekzagjeruar me egoizmin e dëshirave tona. Në këtë mënyrë, nuk ka një “vuajtje të bukur”, ka vetëm vuajtje në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ose, në një hipotezë më ekstreme, një kredhje në një mjerim të padurueshëm. Ky përkufizim parësor pastaj zgjerohet në refuzim parimor të vetë mënyrës së të jetuarit. Nuk e jetojmë më jetën tonë – e jetojmë atë që na është detyruar nga rrethanat, rezultimet historike, shoqërore, politike, ekonomike e kulturore. Pra, do të mund të thoshim se ne sot e jetojmë jetën tonë pothuajse në atë instinktin natyror të jetesës. Që është: të mbijetosh. Në një tekst të mëparshëm, e pata cilësuar rezultatin e përpjekjeve tona të gjithëmbarshme, me drojën time jo kursyese, duke iu referuar Platonit, si një “Republikë të derrave”. A do të duhej ta stërbanalizoj gjithë atë aq banale që u tha deri më tani? Sidoqoftë, në shqip ka një shprehje idiomatike që thotë: “thi je”. Pa dashur të ngjitemi në prejardhjen e saj, një nga domethëniet e saj na sugjeron se dikush është “thi” kur manifeston përreth vetes dhe në vete njëfarë aftësie për të qenë spirituoz, dinak, po edhe njëfarë mashtruesi dhe ndonjëherë edhe sjellje të tilla që ndërfuten në domenin e veseve – e megjithatë është krijesa pothuajse e vetme të cilës kurrë s do të mund t i referohej ndonjë virtyt. Një kuptim tjetër i saj është: instinkti kafshëror (pra këtu i kthehemi kuptimit të saj të parë) për të mbijetuar, ose thënë ndryshe: aftësia për të gjallëruar në atë që gjendet përreth, në mbeturina, në atë që na takon për nga natyra si lloj i caktuar.
Ky lajm është publikuar: 10/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›