E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Mallakastër. Babai i lë fajin djalit: Më varni në mes të fshatit, nëse vrava çiftin

"Më varni në litar nëqoftëse unë kam dorë në vrasjen e Enverit dhe Hazbies, e ka bërë im bir", kështu ka deklaruar në sallën e gjyqit, i ati i 19-vjeçarit që vrau më 25 nëntor burrë e grua, në fshatin Belishovë të Mallakastrës. "Arrest me burg" ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit për Xhevit Malkaj, i cili akuzohet për vrasjen dhe më pas djegien e çiftit Myftaraj. Ndërsa ka dhënë detyrim paraqitje për babain e tij Bajram Malkaj, i cili akuzohej për fshehje të krimit të të birit. Seancat gjyqësore në ngarkim të babë e bir janë zhvilluar të ndara, ndërsa në kohën kur në gjykatë ka ardhur 19-vjeçari, ka pasur masa të rrepta sigurie.
GJYKIMI 
Fillimisht trupi gjykues është mbledhur për të dhënë vendimin për Bajram Malkaj, për të cilin akuza e përfaqësuar nga prokurorja e çështjes Elsa Miho ka paraqitur prova që vërtetonin fshehjen e krimit nga babai i autorit. Prokurorja i kërkoi trupit gjykues që të vlerësonte të ligjshëm arrestimin e kryer nga policia si dhe kërkoi masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për Bajram Malkaj. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Dritan Hamiti, ka kërkuar lirimin në sallë të të akuzuarit dhe vendosi si masë detyrim paraqitje dy herë në muaj, pranë oficerit të Policisë Gjyqësore për shtetasin Bajram Malkaj. Me lot në sy Bajrami tha në sallën e gjyqit se, nëse gjendej fajtor për vrasjen, të varej në qendër të fshatit të tij. "Të më varni në litar nëqoftëse unë kam dorë në vrasjen e tyre. Ma ka bërë djali këtë gjë", deklaroi 50-vjeçari, ndërsa largohej nga salla. Rreth një orë më pas trupi gjykues është mbledhur sërish për të dhënë masën ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortëve Myftaraj, Xhevit Malkaj. Në nisje të seancës, prokurorja duke lexuar aktakuzën deklaroi se viktima dhe i akuzuari njiheshin me njëri-tjetrin. Sipas saj, ata shisnin bashkë tuba dhe naftë bruto në Fier, ndërsa kohët e fundit lidhja e tyre për këtë biznes ishte prishur. Kjo ka qënë dhe arsyeja që autori ka shkuar sipas prokurores, në lokalin e viktimës atë natë i pajisur me çiften e gjahut pronë e babait. Më tej akuza ka rindërtuar ngjarjen natën e krimit: "19vjeçari ka shkuar në lokal pasi kishte konsumuar dy gota raki dhe pasi ka shkëmbyer replika me viktimën ka qëlluar drejt tij. Më pas ka qëlluar edhe bashkëshorten, duke e lënë atë të shtrirë në tokë. I vetëdijshëm për aktin, ka lyer trupat me raki dhe u ka vënë zjarrin", mësohet të ketë deklaruar prokurorja e çështjes. Më tej akuza ka kërkuar "burg pa afat" për Xhevit Malkaj, ndërsa pala mbrojtëse nuk i mohoi akuzat. Në fund të seancës, gjyqtari Dritan Hamiti ka lexuar masën "arrest me burg" për 19vjeçarin Xhevit Malkaj.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›