E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Pukë, Av. Popullit ndjekje penale shefit të komisariatit

TIRANË- Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e 29 qershorit në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë, ku një familje u masakrua në pritë, të tjera detaje dalin në dritë.

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vendosur të çojë për ndjekje penale shefin e komisariatit të Pukës, për rolin që policia ka luajtur në këtë tragjedi.

Pritet që në orën 11:00, Avokati i Popullit të dalë në një konferencë për shtyp ku do të sqarojë të gjitha detajet, por paraprakisht bëhet me dije se kjo tragjedi, ku humbën jetën dy vëllezërit Markaj ka qënë e paralajmëruar.

Totozani sqaron se detajet e hetimeve kanë nxjerrë fakte tronditëse për rolin e policisë.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit, kur Paulin Markaj së bashku me bashkëshorten, djalin dhe nipin e tij po ktheheshin në shtëpi pasi kishin festuar ditën e Shën Palit. Kur ishin vetëm 100 metra larg banesës së vëllait të Paulinit, Hil Markaj, ata u ndeshën me pritën e burrave të fisit Përmakaj, të cilët i qëlluan me breshëri automatiku. Për pasojë humbi jetën 45-vjeçari Paulin Markaj dhe u plagos bashkëshortja dhe nipi i tij, Alfons Markaj 25 vjeç, ndërsa ka shpëtuar mrekullisht i biri.

Me të dëgjuar breshërinë e armëve, vëllai i tij Hil Markaj dhe bashkëshortja e tij doli në oborrin e shtëpisë, ku u qëllua për vdekje nga fqinjët e tij, të cilët u larguan më pas nga vendi i ngjarjes. Plumbat prekën e bashkëshorten e tij Anxha Markaj, e cila u plagos rëndë.

Dyshohet se shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë një konflikt i hershëm mes dy fiseve, Markaj dhe Përmarkaj, lidhur me një vijë uji vaditëse në tokat e tyre. Megjithatë, sipas fqinjëve, këto dy fise kishin shpesh herë edhe konflikte të tjera sociale.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›