E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa League, Tirana barazon 1-1 me Alesund

TIRANË - Tirana barazoi 1-1 sonte në ndeshjen e vlefshme të turit të dytë të Europa League ndaj norvegjezëve të Alesund, të zhvilluar në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Nga një gol në secilën pjesë, me autor Mirel Çotën, në minutën e 38-të të pjesës së parë, dhe të Stewart, në minutën e 57-të të pjesë së dytë, kanë vulosur fatin e një ndeshjeje që ka dhuruar mjaft emocione.

Norvegjezët e Alesundit, përveç faktit se janë në aktivitet të plotë në kampionatin e tyre prej 4 muajsh, shquheshin për përgatitjen e lartë fizike dhe luftën në ajër. Dy komponentë, të cilëve u druhej deri në njëfarë mase trajneri spanjoll i Tiranës, Hulian Rubio.

Kryeqytetasit luajtën me një mungesë shumë të rëndësishme, siç është sulmuesi Bekim Bala, i cili po testohet në Çeki, te Sparta e Pragës, ku ka shënuar dje edhe një gol në miqësore.

Gjithashtu, një mungesë tjetër jo e vogël ishte edhe mbrojtësi Pisha, që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen paraardhëse, në Luksemburg, ndaj Grevenmakerit.

Takimi i kthimit do të zhvillohet në Norvegji pas një jave ku Alesund është favorite pasi ka shënuar gol në fushën kundërshtare.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›