Masakra në Selanik, mbërrin në Korçë trupi i Kristianës

Kristiana Miçani, foto e disa viteve më parë
KORÇE – Mbërrin në Drenovë arkëmorti me trupin e 16-vjeçares Kristiana Miçani. E vrarë në mënyrë makabre nga ish-i dashuri rom, adoleshentja, e cila jetonte së bashku me babain dhe motrën e saj në qytetin e Selanikut, përcillet sot për në banesën e fundit nga të afërmit dhe familjarët. E shoqëruar nga babai dhe disa familjarë, vajza e pajetë është sjellë për tu varrosur në fshatin ku ajo lindi. Pasditja e së premtes ka shënuar edhe hyrjen e trupit në pikën doganore të Kapshticës, ku pas disa ditë procedurash ligjore, familjarët e vajzës kanë tërhequr trupin e pajetë për të zhvilluar edhe ceremoninë mortore. Tronditja e thellë për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e Krishtlindjeve ka veshur në zi gjithë banesën, ku të afërm dhe bashkëfshatarë janë afruar për të ndarë dhimbjen për humbjen e 16-vjeçares. Për të kryer të gjitha ritualet, trupi i pajetë është mbajtur përgjatë gjithë natës në banesën e familjes Miçani, prej së cilës arkivoli me trupin e vajzës së re do të përcillet për në banesën e fundit. Familja e të babait të viktimës jeton në Drenovë të Korçës, ku do të kryhet ceremonia, ndërkohë që nuk është mësuar nëse e ëma e saj ka mbërritur në Shqipëri. Prindërit e Kristianës ishin divorcuar vite më parë, dhe pas martesës së dytë e largimit në Athinë të nënës, dy vajzat e çiftit i mbajti babai, Thoma Miçani, për të jetuar në qytetin e Selanikut. Kristiana 16-vjeçare u gjet e dekompozuar në lagjen Lagadha të qytetit të Selanikut, së bashku me të dashurin e saj grek, pasi ishin vrarë nga një grup të rinjsh të komunitetit rom nga Rumania. Sipas të dhënave, shkak i ngjarjes tronditëse ishte xhelozia e një 18-vjeçari nga Rumania me të cilin Kristiana kishte pasur një lidhje dashurie. dh.d