Qeveria ndryshon ligjin për ish-të përndjekurit

Nga protestat e ish-të përndjekurve
Zbardhet projektligji i ri në Kuvend, zgjerohet harta e përfituesve. Shtyhet deri më 30 prill 2012 afati i dorëzimit të dosjeve
Qeveria shtyn deri më 30 prill 2012 afatin e fundit të dorëzimit të dosjeve të të përndjekurve politikë për të përfituar dëmshpërblim për vitet e burgut. Në ndryshimet në ligj, të cilat kanë mbërritur së fundi në Kuvend, ku do të diskutohen në komisionet parlamentare, thuhet se data 30 dhjetor 2011 që ishte parashikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, është ndryshuar me datën 30 prill të këtij viti. Brenda datës 30.04.2012, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, thuhet në nenin 19 të ligjit. Në të njëjtën kohë, me ndryshimet e fundit ligjore është zgjeruar edhe harta e personave që do të përfitojnë dëmshpërblim. Kështu, në ligjin fillestar ishte përcaktuar se personat që do të përfitojnë janë ata që janë dënuar në periudhën 30.11.1944 deri në 1.10.1991. Me amendimin e gjashtë neneve tashmë do të përfitojnë edhe ata persona që janë dënuar nga 25 tetori i vitit 1944 deri në tetor të vitit 1991. Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, thuhet më tej në ligj. Në listën e veprave penale politike me të cilat janë dhënë edhe dënimet në kohën e regjimit komunist është shtuar edhe vepra terroriste, ndërkohë që për ish-të dënuarit politikë që përfitojnë pasi kanë vuajtur në kampe internimi, dëmshpërblimi jepet në bazë të aktit administrativ të lëshuar nga komisioni trepalësh. Ndryshimet në ligj kanë përcaktuar gjithashtu dhënien e përparësisë për dëmshpërblimin e personave mbi 85 vjeç. Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë, me moshë mbi 85 vjeç, i shpërndahet dëmshpërblimi në dy këste, thuhet në ndryshimet në ligj.
1 mijë përfitues
Nga ndryshimet e fundit të ligjit të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politike do të përfitojnë një mijë persona, të cilët deri tani nuk kanë mundur të marrin asnjë lek. Shumica u përket të internuarve dhe atyre të dënuar për veprat terroriste.
Kërkesat
Në Ministrinë e Drejtësisë aktualisht janë të depozituara rreth 700 kërkesa jashtë afatit 1.7.2009 dhe që nuk janë marrë në shqyrtim nga strukturat përgjegjëse për shkak të depozitimit jashtë afatit ligjor. Ligji duhet tu njohë të drejtën e përfitimit edhe subjekteve që kanë depozituar kërkesë jashtë afatit që parashikon aktualisht ligji, thuhet në relacionin e qeverisë.
Ndryshimet ne ligjin e te perndjekurve
Neni 1 ishte
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.
Neni 1 bëhet
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 25.10.1944 deri më 1.10.1991.
Neni 26 ishte
Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë: kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 – 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën d të nenit 4 të këtij ligji.
Neni 26 bëhet
Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë: kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 25.10.1944 – 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën d të nenit 4 të këtij ligji.
Pas nenit 4/a shtohet 4/a1
Përjashtimisht për ish-të dënuarit politikë që përfitojnë sipas shkronjës b të nenit 6 të këtij ligji, dëmshpërblimi jepet në bazë të aktit administrativ të lëshuar nga komisioni trepalësh.
Në nenin 5
Shtohet veprat terroriste.
Në nenin 8/1 shtohet pika 8/1-1
Në kategorinë e pasardhësve të ish-të dënuarve politikë përfshihen edhe fëmijët e tij, që janë dhënë në birësim, para, gjatë dhe pas periudhës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në rastet kur provojnë dhënien në birësim nga ish-i dënuari politik.
Në nenin 12 shtohet paragrafi
Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë me moshë mbi 85 vjeç, i shpërndahet dëmshpërblimi në dy këste.
Neni 19 ishte
Brenda datës 01.07.2009, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 19 bëhet
Brenda datës 30.04.2012, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar, për dënimin penal të padrejtë, sipas formularit të paraqitur në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij ligji.Dispozita kalimtare dhe t