E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol makinës së policit të rendit, tronditet Vlora

Makina e policit pas shpërthimit

Dëme materiale. Ngjarja e dytë pas djegies së mjetit të kryebashkiakut

Shpërthim tritoli në qytetin e Vlorës. Në shënjestër këtë herë ka qenë makina e një punonjësi të Policisë në Komisariatin e qytetit të Vlorës, Andi Begaj. Zhurma e fuqishme e lëndës plasëse është dëgjuar në lagjen Pavarësia, ku polici kishte parkuar makinën e tij private. Sipas Policisë, bazuar te deklarimet e dëshmitarëve, ngjarja ka ndodhur në orën 04:25 të mëngjesit. Shpërthimi i fortë ka bërë që banorët e lagjes të dalin të tronditur nga banesat për të parë se çfarë kishte ndodhur. Kur ata kanë verifikuar shpërthimin e lëndës eksplozive pranë makinave të parkuara në një prej rrugicave të lagjes, kanë njoftuar policinë. Policia ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt, duke konstatuar se lënda plasëse ishte vënë në afërsi të makinës së një punonjësi të rendit. Automjeti tip Volksvagen, me targa angleze, në pronësi të Andi Begajt, ka qenë parkuar anës rrugës, si vazhdimisht, pranë pallatit ku banonte 32-vjeçari. Nga shpërthimi ajo është dëmtuar pjesërisht, në pjesën e parme të saj. Sipas ekspertëve të Policisë, dyshohet se sasia e lëndës plasëse është hedhur në afërsi të automjetit të Begës nga persona të paidentifikuar, të cilët mund të kenë qenë me makinë duke lëvizur e më pas janë larguar me shpejtësi. Nga shpërthimi është dëmtuar pjesa e parme e makinës, si dhe janë thyer disa xhama të saj. Nga forca e lëndës plasëse kanë pësuar dëme dhe makinat e parkuara pranë asaj të policit të Komisariatit. Duke dyshuar se është pikërisht punonjësi i policisë objektivi i autorëve, kolegët e tij dhe përfaqësues të Prokurorisë kanë marrë në pyetje pronarin e mjetit. Nga ana e tij, mësohet se polici ka deklaruar se nuk ka pasur konflikt me ndonjë person, as në punë e as për çështje personale. Begaj është shprehur se nuk di të ketë ndonjë debat, fërkime apo ndonjë kërcënim, si në jetën private, ashtu dhe atë të detyrës si punonjës policie. Në fakt, nga drejtues të Policisë së Vlorës bëhet e ditur se prej disa javësh, punonjësi i Policisë që iu vendos lënda eksplozive ka qenë i pezulluar nga detyra për thyerje të disiplinës në punë. Arsyet nuk bëhen të njohura, ndërkohë që pritej një vendim i dytë për rikthimin e tij në detyrë. Para tri ditësh u dogj makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, nga persona ende të paidentifikuar. Fenomeni i shpërthimeve dhe djegieve të automjeteve, si dhe banesave, po bëhet dhe më shqetësues për qytetarët e Vlorës. Ata janë të tronditur nga ky fenomen që po përhapet masivisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›