E Diel, 1 Nëntor 2026

Naum Disho, Gjykata e Korçës: Të shkojë në burg

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho

KORÇE – Naum Disho, i dënuar për dhunimin e varrezave në fshatin Boboshticë, edhe një herë do ti drejtohet Gjykatës së Apelit në Korçë, këtë herë për të shtyrë arrestimin e tij deri në momentin kur do të shprehet Gjykata e Lartë. Pasi ka dështuar përpjekja për të shtyrë ekzekutimin e urdhër-arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, tashmë kërkesa do të shkojë sërish në Gjykatën e Apelit për një shqyrtim të ri. Mesditën e djeshme është bërë edhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të urdhër-arrestit ndaj Naum Dishos. Gjykata e Faktit, pasi ka shqyrtuar shkaqet dhe dokumentacionin e paraqitur nga mbrojtja e të pandehurit, nuk ka pranuar kërkesën për të shtyrë arrestimin deri në 6 muaj. Në seancën e zhvilluar, ku është vënë re edhe mungesa e të pandehurit Naum Disho, janë paraqitur disa dokumente përmes të cilave është realizuar argumentimi i mbrojtjes. Certifikata familjare, vërtetimi nga organizata OMONIA, kartela mjekësore, si dhe ekzaminimet, të cilat vërtetojnë gjendjen shëndetësore të të dënuarit për veprën penale të dhunimit të varrezave, i janë vënë në dispozicion gjykatës për të bërë vlerësimin e kërkesës, por kjo e fundit e ka refuzuar atë. Nga ana e Prokurorisë është pohuar se dy arsyet e paraqitura nga mbrojtja, në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe atë që lidhet me aktivitetin publik të të dënuarit, janë të pajustifikueshme nga Kodi Penal.                                                               dh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›