Bllokohet makina me targa zyrtare e deputetit Ruçi
DURRES/ Makina private, me targa Z. Pritet verifikimi
Në makinën e drejtuar nga i biri gjendet një armë sportive, ndalohet shoku i Ledio Ruçit
Bllokohet makina me targa zyrtare e deputetit socialist Gramoz Ruçi. Tuaregu me targë 0141 Z drejtohej nga djali i kreut të Grupit Parlamentar, Ledio Ruçi, i cili po kthehej nga Gjirokastra bashkë me dy shokë të tij. Një kontroll i kryer nga policia e Durrësit ka zbuluar brenda në makinën në pronësi aktuale të familjes Ruçi, një armë sportive, e cila mbahej pa leje nga një prej udhëtarëve, 23-vjeçari Lori Kelolli. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bënë të ditur se rreth orës 18:40 të ditës djeshme, në afërsi të rreth-rrotullimit në zonën e Plepave, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit u bë ndalimi me qëllim verifikimin e automjetit tip Volkswagen Touareg me targa TR 0141 Z. Në kohën kur ky mjet po udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, drejtuesi i tij nuk u është bindur shërbimeve të Policisë për ndalim dhe verifikim të dokumentacionit të mjetit. Nga verifikimi i kryer rezultoi se drejtues i automjetit ishte shtetasi Ledio Ruçi, 28 vjeç, banues në Tiranë. Së bashku me të, në mjet udhëtonin edhe shtetasit Lori Kelolli, 23 vjeç dhe E. Malaj, 22 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në automjetin e lartpërmendur u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive pushkë (pa numër), që dyshohet se posedohej nga shtetasi Lori Kelolli, bëri të ditur zyrtarisht Policia e Durrësit. Kelolli u arrestua në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të gjahut dhe sportive. Dy djemtë e tjerë, L. Ruçi dhe E. Malaj, pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, u lanë në gjendje të lirë. Ndërkohë, makina me targa zyrtare, pas verifikimeve të kryera nga njësia e Qarkullimit Rrugor Durrës, rezultoi pa dokumentacionin përkatës dhe u bllokua administrativisht për veprime të mëtejshme. Nga të dhënat e Policisë rezulton se makina është e privatizuar nga familja Ruçi pas blerjes me një vlerë prej 900 mijë lekësh në ankandin e Kuvendit. Sipas Policisë, makina do të verifikohet në lidhje me dokumentet dhe pse mbante targat zyrtare. Tre djemtë po vinin nga Gjirokastra, ku kishin qenë për gjueti, për në Tiranë, por sinjalet e policisë së qytetit jugor për mosrespektim të patrullës bëri që në Durrës një postbllok të kërkojë ndalimin e makinës me targa zyrtare.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ