E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Vlorë, dëshmia e 16-vjeçares: U përpoqa të shpëtoja viktimat

VLORE - Edhe pse kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, 16-vjeçarja Eva Metaj ka ende të veshur bluzën me gjakun e një prej viktimave. Pas breshërisë së armëve, ajo ishte e vetmja që qëndroi dhe u mundua t’u jepte ndihmë viktimave, më tepër 17-vjeçarit Serdi Bajlozi, që siç tregon ajo, ra në tokë para këmbëve të saj. Megjithëse vetëm 16 vjeçe, pas daljes nga komisariati ku dha dëshminë dhe pas përjetimit të ngjarjes, me gjakftohtësi tregon ato çfarë ka parë dhe dëshpërimin që nuk arriti dot të shpëtonte asnjë prej viktimave.
Eva, çfarë patë?
Unë isha në det dhe në një moment dëgjoj disa krisma që nuk kuptoheshin nga vinin. Pastaj pashë që tre njerëz afër meje po mbuloheshin me gjak. Ishte tamam si një film, nuk më dukej e vërtetë. Pashë fillimisht gruan, që e mori plumbi në kokë dhe nuk po lëvizte fare, ndërsa dy çunat që ishin afër meje po lëviznin ende.
Çfarë bënë njerëzit e tjerë në atë moment?
Të gjithë ikën me vrap, sa në një cep në tjetrin dhe po largoheshin, sapo pushuan krismat. Pashë shumë dhe nga ata që ranë nga shkëmbinjtë, madje jam e sigurt që mund të jenë dëmtuar.
Po ti, çfarë bëre?
Unë iu afrova dy të plagosurve. Nxora nga uji 17-vjeçarin, se asnjë nuk e ndihmonte, dhe po kërkoja ndihmë. U mundova që ta mbaja në jetë, por u shua në krahët e mi.
Foli gjatë kohës që ishte në krahët e tu?
Jo, nuk foli asnjë fjalë. Mundohej që të merrte frymë derisa vdiq. Mbaj mend që kishte marrë një plumb afër syrit.
E njihje?
Jo, nuk e njihja, por më erdhi shumë keq dhe u mundova ta ndihmoja.
Po më pas, çfarë ndodhi?
Më pas erdhën njerëz të tjerë dhe i çuan ata në spital, dhe neve erdhëm në polici së bashku me shoqet, ku dhamë dëshmitë tona.
E mban mend atë që qëlloi?
Mendoj se shumica nuk e mbajnë mend, pasi u strukën të gjithë poshtë shezlongëve menjëherë. Mbaj mend vetëm që ai filloi të qëllonte që nga shkallët me breshëri, pastaj edhe kur po largohej vazhdonte të qëllonte ashtu kot.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›