E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Vlorë, shpërblimi josh qytetarët, ‘bum’ telefonatash për foton e autorit

Dhjetëra telefonata mbërrijnë çdo ditë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, por jo për të denoncuar akte kriminale apo persona. Qytetarë të shumtë, kërkojnë që Policia e Vlorës të afishojë fotografinë e autorit të dyshuar të masakrës së ndodhur në plazh më 28 korrik. Kjo pas shpërblimit prej 10 mijë dollarësh që Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion të çdo qytetari që jep informacion të vlefshëm për 22-vjeçarin Delin Hajdaraj. Por pavarësisht kërkesave, drejtues të Policisë së Qarkut Vlorë përgjigjen se publikimi i fotos së 22-vjeçarit është i pamundur. Kjo pasi vihet në rrezik gjithë hetimi për masakrën e ndodhur në plazhin e njohur si “Kalaja”, ku mbetën të vrarë tre pushues të pafajshëm. 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi u vranë me plumba rikoshet pas një sherri mes të rinjsh.

REAGIMI
Kërkesës së qytetarëve të shumtë për publikimin e fotos së njeriut më të kërkuar momentalisht në të gjithë jugun e Shqipërisë, për vrasje të trefishtë, Policia e Vlorës i është përgjigjur me një ‘JO’ të madhe. Me arsyetimin se rrezikohet e gjithë kjo çështje. Sipas drejtuesve të policisë, pavarësisht se në këto momente fotoja e 22-vjeçarit Delin Hajdaraj ndodhet në xhepat e të gjithë efektivëve, ajo nuk mund të publikohet pasi më parë do të bëhet paraqitja për njohje me dëshmitarët e vendit të ngjarjes. Në të kundërt, identifikimi nga ana e dëshmitarëve pas arrestimit, mund të hidhet poshtë nga avokati në sallën e gjyqit. Nga ana tjetër qytetarët të nxitur edhe nga shpërblimi shprehen se publikimi i fotos apo një identikit i 22-vjeçarit do të ndihmonte policinë që ta kapte më shpejt. “Unë kam telefonuar dhe kam kërkuar që të publikohet fotoja e autorit, por më thanë që kjo gjë është e pamundur pasi do prishte hetimet. Mendoj se është më mirë të publikohet pasi kështu do zbulohet më shpejt”, shprehet një qytetar i Vlorës. Megjithëse zyrtarisht drejtuesit e Policisë së Vlorës, shprehen se është e pamundur të publikohet, ka edhe efektivë që mendojnë se me shpërblimin prej 10 mijë dollarësh, por edhe me dashamirësinë e qytetarëve nëse do të ishte publikuar fotoja kjo do të ndihmonte hetimin. Për kapjen e 22-vjeçarit Delin Hajdaraj është angazhuar e gjithë struktura policore në jugun e vendit. Në vëzhgim mbahen sidomos pikat kufitare, në rast të një tentative nga ana e autorit për të kaluar në mënyrë ilegale. Blutë e Vlorës kanë arrestuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”, 18-vjeçarin Leo Osmëni. Por adoleshenti ka deklaruar në polici se ka qenë shoku i tij Delin Hajdaraj ai që ka qëlluar me kallashnikov, pas thirrjes së tij./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›