Masakrimi i 86-vjeçarit në Dushk, i ngjashëm me ritet e një kurbani
Zbulimi: Arjan Alla është arrestuar nga policia, duke u bazuar në dëshminë e shokut të viktimës, i cili e kishte gjetur autorin, duke e therur 86-vjeçarin
I arrestuari: Arjan Alla pranon vrasjen dhe shpjegon se ia kishte hequr viktimës unazën e orën, pasi kishte dëgjuar se një gjë e tillë ishte mirë për të vdekurin
Dyshimet: Nga mënyra se si është kryer vrasja, banorë e besimtarë myslimanë të zonës së Dushkut kanë ngritur dyshimet se ajo ngjante me kryerjen e një kurbani
Arrestohet emigranti i dyshuar: Më bërtiti se hyra në xhami
Edmond Hoxhaj
Një vrasje që tronditi jo vetëm opinionin publik të fshatit të Dushkut të Lushnjës, por edhe më gjerë, lë pas plot mistere për sa i përket mënyrës së ekzekutimit, ndonëse autori i arrestuar nga policia 24 orë pas krimit, ka zbardhur para hetuesve detaje të asaj që ka ndodhur pak para se 86-vjeçari Shemshir Muça të jepte frymën e fundit. Gazeta Shqip ka siguruar të dhëna mbi dëshminë e të prangosurit, Arjan Alla, i cili ka deklaruar se fillimisht gjithçka ka nisur pas një debati banal e ka përfunduar në rituale në nder të viktimës. Ashtu si në një film triller, autori ka kryer veprime të ngjashme me rituale me ato të një kurbani, në këtë rast njerëzor.
Dëshmia
Burimet konfidenciale të gazetës kanë bërë me dije, se i prangosuri 38-vjeçar Arjan Alla ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka shpjeguar arsyet pse e ka kryer. Sipas Allës, ai kishte qenë emigrant në Greqi gjatë 15 viteve të fundit. Ai ka shtuar se është kthyer një ditë para ngjarjes në shtëpi, pasi kishte qëndruar për tre vite me radhë në shtetin helen. Alla ka treguar se pasditen e së premtes ka shkuar në xhami dhe po qëndronte aty duke u falur. Isha duke qëndruar e duke rregulluar ndonjë gjë që smë dukej në vendin e duhur, kur rreth orës 16:00 mbërriti aty 86-vjeçari Shemshir Muça. Ai më pyeti se kush isha dhe çfarë bëja në xhami. Nisi të ngrinte zërin dhe kjo gjë më bezdisi. Ia ktheva dhe unë dhe i thashë se nuk kishte çfarë i duhej me mua. Me siguri nuk më mbante mend se kisha tre vite pa ardhur në Shqipëri. Ai prapë vazhdoi të më bërtiste dhe nuk durova dot më, por e qëllova me grusht. Mesa duket e qëllova fort pasi u rrëzua përtokë. Kur u rrëzua, i doli nga brezi një biçak që e kishte të lidhur me ushkur. Sapo pashë biçakun mendova tia merrja dhe e kapa duke e tërhequr. Në momentin që po tërhiqja biçakun, ushkuri që ishte lidhur tek pantallonat bëri që ato të uleshin poshtë deri në fundin e këmbëve. Isha nxehur aq shumë saqë nuk po dija se çfarë bëja. E kapa nga pas, e ngrita dhe e qëllova në fyt me thikë. Kur e kuptova se kishte vdekur, i hoqa orën dhe unazën e ia vendosa në dorë, pasi kam dëgjuar se është mirë ti çosh të vdekurit sende me vlerë. Pas pak në derë erdhi një person dhe ika me vrap. Kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve 38-vjeçari Arjan Alla, i cili ka pranuar autorësinë e krimit.
Në vendin e ngjarjes vërehen qartë gjurmët e këpucëve të vrasësit. Për shkak se besimtarët myslimanë, para se të hyjnë në ambientet e xhamisë i heqin këpucët, në tapetin ngjyrë gri shquhen vetëm gjurmët e këpucëve të vrasësit, i cili ka hyrë aty duke ndjekur të moshuarin që ndodhej i vetëm. Në tapet duken disa gjurmë pluhuri të këpucëve, të cilat ndodhen në anën e majtë të pellgut të gjakut dhe kanë drejtimin për nga lindja. Ndërsa gjurmët e lëna nga këpucët e lyera me gjak, të cilat kanë të njëjtën madhësi e formë me ato me pluhur, drejtohen për nga perëndimi dhe në anën tjetër të pellgut me gjak. Këto gjurmë janë konstatuar.
I arrestuari
Janë dashur vetëm 24 orë që Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier të zbardhë e të vërë para përgjegjësisë penale autorin e dyshuar të vrasjes së Shemshir Muçës nga Dushku i Lushnjës. Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se 38-vjeçari Arjan Alla është ndaluar për veprën penale të vrasjes me dashje. Gjithashtu, aty shtohet fakti se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta. Nga verifikimet paraprake të policisë ka rezultuar se autori kishte jetuar gjatë 15 viteve të fundit në Greqi dhe se kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë më parë.
Kurbani
Nga mënyra se si është kryer vrasja, banorë e besimtarë myslimanë të zonës kanë ngritur dyshimet se ajo ngjante me kryerjen e një kurbani. Sipas tyre, kurbanit i lidhen këmbët, çka në këtë rast është realizuar prej vrasësit duke i ulur pantallonat viktimës deri në nyje të këmbëve. Gjithashtu, edhe vendosja e trupit me kokën në drejtim të perëndimit, pasi viktima ka ndërruar jetë, ka ngritur dyshimet e banorëve të zonës se është bërë me qëllim të paramenduar të vrasësit. Ndërkohë, vetë i arrestuari, Arjan Alla, ka pranuar se pasi e ka vrarë dhe e ka vendosur në pozicionin që u gjet viktimën, i ka hequr atij orën dhe unazën e ia ka vendosur në dorë, pasi kishte dëgjuar se kjo ishte një gjë e mirë, në nder të të vdekurit. Ndërsa për sa u përket shenjave të gjetura pranë kyçeve të duarve, dyshohet se janë shkaktuar gjatë përleshjes mes autorit dhe viktimës.
Intervista
Policia dyshoi fillimisht për një konflikt të djalit të viktimës pak ditë para vrasjes
Shoqërohet fqinji, nëna: Im bir ishte në arë kur ndodhi vrasja
Menjëherë pas gjetjes së trupit të pajetë të 86-vjeçarit Shemshir Muça në Dushk të Lushnjës, policia shoqëroi rreth 20 persona që dyshohej se kishin dijeni apo lidhje me ngjarjen. Një ndër të dyshuarit kryesorë të hetimit paraprak ishte 42-vjeçari Ismet Shpata, djali i Luftiut e Fatimes, fqinjëve të familjes Muça, i cili qëndroi në qeli prej mbrëmjes së të premtes deri në orët e vona të pasdites së djeshme. Një konflikt mes tij dhe djalit të viktimës i pak kohëve më parë ka çuar në dyshimet e policisë për implikimin e mundshëm të Metit në këtë krim. Kjo, pasi grupi hetimor ka mësuar se ai vuante edhe nga probleme depresive. Banesa e 42-vjeçarit Shpata ndodhet para shtëpisë së Shemshirit. Babai dhe nëna e tij kanë qenë të pranishëm në ceremoninë mortore të të ndjerit, pasi kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Fatimja qan për situatën e krijuar duke u shprehur se djali i saj nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë. Ajo thekson se djali i saj ka qenë duke punuar në arë me dy persona të tjerë në momentin e ngjarjes.
Zonja Fatime, djalin tuaj e kanë shoqëruar në polici që prej mbrëmjes së të premtes dhe ende nuk e kanë liruar. Policia dyshon se ai mund të jetë i implikuar në vrasjen e Shemshir Muçës. Çfarë mund të thoni për këto dyshime të policisë?
Disa punonjës të policisë erdhën rreth orës 21:00 të së premtes dhe e morën djalin. Unë në atë kohë kam qenë tek shtëpia e Shemshirit, pasi mësuam se e kishin vrarë dhe shkuam për të ngushëlluar familjarët, pasi kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të mira me ta. Mësova se e kishin shoqëruar ashtu si shoqëruan edhe të tjerë. Por deri tani
