Vrasja në xhami, luftë mes dy rrymave myslimane për mënyrën e faljes
Lushnje- Përplasja mes rrymave fetare ka shkaktuar vrasjen në xhaminë e fshatit Dushk të Lushnjes. Një krim që ndodhi brenda ndërtesës së xhamisë nuk ka qenë aspak një vetëvrasje siç u pretendua në fillim nga policia dhe as një vrasje e thjeshtë për motive banale.
Oficerë të policisë kanë zbuuar detaje nga rrëfimi i vrasësit i cili u arrestua 24 orë pas krimit, sipas të cilit shkak i vrasjes kishin qenë debatet për mënyrën e ushtrimit të riteve fetare, pra mënyrën e faljes.
Vrasësi, Arjan Alla, ka shkuar rreth orës 16 të së premtes në xhami, për tu falur dhe ka gjetur brenda 86 vjecarin Shemsi Muça. Ata kanë debatuar për menyrën e faljes dhe më pas janë konfrontuar dhe Alla e ka qëlluar kartër herë me thikë në fyt viktimën. Më pas ai e ka mbajtur në dorë kokën e tij, derisa ka ndërruar jetë, duke e shtrirë më pas të vdekur sipas riteve fetare.
Një tjetër besimtar, banori i fshatit Xhelo Zeqiri, që kishte shkuar të falej të premten pasdite ka gjetur vrasësin me kokën e viktimës në preher të mbytur në gjak. Më pas Zeqiri kishte shkuar të kërkonte ndihmë dhe kur janë kthyer, kanë gjetur viktimën të shtrirë në dysheme dhe të sistemuar sipas rriteve fetare myslimane, kokën nga perëndimi dhe këmbënt nga linjda.
Viktima është edhe vjehrri i imamit të Lushnjes dhe kjo i ka bërë edhe më komplekse shkaqet e krimit. Në këtë qytet kanë qenë të vjetra përpasjet mes rrymave fetare, pasi imami i përket brezit të drejtuesve të rinj muslimane që janë shkolluar në shkollat fetare të Arabisë Saudite dhe bën pjesë tek të ashtuqajturit, brezi i ri që akuzohet shpesh edhe për ekstremizëm. Këta kanë qenë në konflikt të hapur me besimin tradicional mysliman shqiptar për shkak të riteve me pak liberale që ndjekin këta.