Masakrohen vëllezërit pas gjyqit për pronën
TIRANË- Masakrohen pas seancës gjyqësore dy vëllezër, në kërkim autorët. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, kur dy vëllezërit Petrit dhe Shpëtim Tresa të moshës 52 dhe 30-vjeç janë goditur me sende të forta nga disa persona. Ata kanë pësuar plagë të rëndë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe u transportuan me urgjencë në spitalin ushtarak nga ku mësohet se Shpëtim Tresa ndodhet në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë së komisariatit nr.2, si dhe specialistët e seksionit kundër krimit ndaj jetës e shëndetit për të zbuluar motivet dhe autorët e ngjarjes. Policia mori në pyetje dëshmitarët dhe të afërm të dy vëllezërve të plagosur, për të zbuluar shkaqet e ngjarjes. Nga hetimet e para, policia bëri të ditur se Petrit dhe Shpëtim Tresa dje rreth orës 9:30 sapo kishin dalë nga një seancë gjyqësore për çështje pronësie, pasi ishte në konflikt me një familje tjetër. Por kur janë larguar vetëm pak metra nga Gjykata ata janë përballur me disa persona të irrituar të cilët i kanë goditur me sende të forta. Dy vëllezërit janë të gjakosur dhe në gjendje të rëndë kanë mbetur në mes të rrugës ndërsa janë transportuar me urgjencë nga dëshmitarët drejt spitalit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërkohë që autorët e plagosjes janë larguar me shpejtësi duke iu shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit, pas hetimeve mundi të identifikonte autorët e dyshuar të ngjarjes dhe i ka shpallur ata në kërkim. Burime nga policia thanë se për arsye hetimi nuk bëhen të ditur emrat e autorëve ndërsa policia po punon për të bërë të mundur kapjen e tyre. K.Kotorri