E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të riut, rrahu policin bashkiak

NDESHJA/ Një 28-vjeçar qëlloi me grushta punonjësin e policisë, ndërsa iu kërkua të tregonte biletën

Gerti Miho u përkrah edhe nga dy shokët e tij, ndërsa kundërshtonte inspektorin e policisë bashkiake të Devollit

DEVOLL- Një 28-vjeçar nga qyteti i Bilishtit përfundoi në burg pak çaste para fillimit të ndeshjes që luhej në kryeqendrën eDevollit, mes “Skënderbeut” të Korçës dhe “Adës” së Velipojës. I riu, një tifoz i skuadrës korçare, pasi hyri në stadium dhe po tentonte të zinte një vend për t’u ulur u konfliktua me punonjësin e policisë duke e goditur atë me grushta, i ndihmuar dhe nga dy shokë të tij, fakt që e çoi më pas në pranga.

Ngjarja

Dje në mesditë, para fillimit të ndeshjes Skënderbeu-Ada, 28-vjeçari Gerti Miho po kërkonte një vend për t’u ulur. Në të njëjtin moment, një punonjës i policisë bashkiake po kryente një kontroll-rutinë për personat e pajisur me biletë në stadium. Kur mbërriti pranë Mihos, polici i kërkoi 28-vjeçarit që t’i tregonte biletën hyrëse. Por një kërkesë e tillë duket se nuk u mirëprit prej tij, çka bëri që të dyshohet se i riu nuk kishte marrë biletë për të parë ndeshjen dhe të shkaktonte më pas edhe një konflikt mes punonjësit dhe të riut. Sherri midis dy personave përfundoi në grushta, ndërsa 28-vjeçari duket se u ndihmua edhe nga dy miq të tij, e përkatësisht dy vëllezërit Marko dhe Nado Thoma.

Arrestimi

Në konfliktin e krijuar me katër aktorë ndërhyu policia e shtetit, e cila vuri në pranga 28-vjeçarin dhe shoqëroi dy vëllezërit Thoma. Ndërkaq, punonjësit të policisë, të cilit iu shkaktuan dëmtime në fytyrë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tij, iu dha ndihma e parë. Pas arrestimit në flagrancë, Gerti Miho do të akuzohet për “goditje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë”. Ndërkaq, për dy miqtë e tij u vendos që të hetohen për të njëjtën akuzë në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›