E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes emigranti, dyshohet vetëvrasja

Trupi i pajetë i emigrantit Gëzim Agalliu u kthye prej shtetit fqinj pranë familjes mbrëmjen e së shtunës

BERAT- Një emigrant beratas ka humbur jetën katër ditë më parë, ndërkohë që dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje, e ndodhur nga motive të panjohura. Gëzim Agalliu ka humbur jetën në San Marino të Italisë, ku jetonte dhe punonte prej vitesh. Trupi i pajetë i 39-vjeçarit, lindur në lagjen “Çlirim” të qytetit të Beratit, mbërriti në banesën e tij mbrëmjen e së shtunës.

Familjarët Agalliu, bashkëshortja dhe të afërmit, e morën lajmin për vdekjen katër ditë më parë. Ishte një i afërm i familjes që njoftoi për vdekjen e Gëzimit. Ky i fundit mësohet se ishte gjetur pa jetë në banesën e tij, ndërsa procedurat për tërheqjen e trupit të 39-vjeçarit nisën menjëherë. Paraditen e djeshme, Agalliu u përcoll për në banesën e fundit. 39-vjeçari, baba i një fëmije, mësohet se jetonte prej vitesh në shtetin fqinj si emigrant i ligjshëm. Ai jetonte dhe punonte në qytete të ndryshme të Italisë gjatë emigrimit disavjeçar, por muajt e fundit ishte vendosur në San Marini me disa të njohur të tjerë. Mësohet se Gëzimi kishte një jetë të rregullt në shtetin fqinj dhe mbante lidhje tepër të rregullta me familjarët e tij në qytetin e Beratit. Këta të fundit mësohet se janë njoftuar për vdekjen e djalit të tyre, por nuk dinë shumë rreth shkaqeve të saj. Ata janë njoftuar se Gëzimi ka gjetur vdekjen aksidentalisht. Mesditën e djeshme ata i dhanë lamtumirën e fundit babait të një fëmije të mitur.

Ndërkohë, burime të komisariatit të policisë Berat thanë se janë njoftuar zyrtarisht nga shteti italian për kthimin e trupit të pajetë, ndërsa vdekja është cilësuar si vetëvrasje. Por, nuk dihen shkaqet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur. Ky nuk është rasti i vetëm që emigrantë beratas kthehen pa jetë pranë familjeve të tyre. Vetëm gjatë muajit të fundit janë kthyer pa jetë nga Italia dy emigrantë, njëri prej të cilëve ishte vrarë, por motivet nuk janë mësuar nga familjarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›