E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Liberalizim vizash me dy kushte

Tiranë- Lufta ndaj krimit dhe dokumentet e rregullta të identifikimit janë dy kushtet thelbësore që ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini ka përcaktuar si element kyç për liberalizimin e vizave. Gjatë një konference për shtyp, fill pas takimit me homologun Lulzim Basha, ai ka premtuar mbështetjen që vendi i tij do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë, jo vetëm në sferën ekonomike, por edhe në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe në BE.

“Deri në mesin e vitit të ardhshëm besoj se do t’i jepet fund punës për liberalizimin e vizave. Por kjo kërkon impenjim të fortë politik të qeverisë shqiptare. Luftë ndaj krimit, dokumente të rregullta identifikimi dhe një reformë e plotë e sistemit elektoral. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme”- tha ai, duke saktësuar se reformat duhet të bëhen në marrëveshje mes pozitës dhe opozitës.

Fratini shtoi më tej, se tashmë është treguar ndërtimi i një modeli të mirë bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të klandestinëve, që vite më parë ishin bërë problem. “Sot kemi 400 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali duke respektuar ligjet e vendit”- tha ai, duke mos lënë pa përmendur edhe problemet e vogla që emigrantët tanë kanë pasur atje.

Sipas tij, imazhi shqiptar në Itali është një imazh i përmirësuar dhe pozitiv. “Ja pse Italia do të mbështetësë anëtarësimin në BE dhe NATO. Ne do të dërgojmë shumë shpejt për miratim ratifikimin e protokollit të Shqipërisë në Nato”- shtoi më tej ai.

Mbështetja do të vijojë në sektorin ekonomik, ku Fratini ka cilësuar si shumë me vlerë korridorin 8-të, ndërsa ka shtuar edhe bashkëpunimet në turizëm dhe energji.

Ministri Basha nga ana e tij e ka falenderuar për praninë dhe mbëhstetjen që Italia tregon ndaj Shqipërisë. Ai e ka njohur me zhvillimet më të fundit në vend dhe reformat e ndërmarra, duke e garantuar për angazhim të mëtejshëm në këtë marrëdhënie të suksesshme bashkëpunimi mes vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›