Nisin procedimet penale për bizneset
VLORË- Edhe bizneset nuk do t’iu shpëtojnë procedimeve penale. Mosshlyerja e detyrimeve për ta nuk do të nënkuptojë më vetëm bllokimet, por deri edhe përballje me drejtësinë. Konkurrenca e pandershme vijon të jetë një ndër shqetësimet e bizneseve. Ajo çka përcillet nga vetë njësitë që janë paguese të rregullta të detyrimeve faktohet edhe pranë zyrave tatimore të njësisë së vendorit të Vlorës. Sipas statistikave, janë 300 subjekte fizike që numërohen pa licenca, kur afati i licencimit ka kaluar që prej muajit mars. Me detyrime pranë tatimorëve janë edhe subjekte juridike, në total 110, edhe këto mospaguese te taksave dhe detyrimeve vendore. Gjithsesi, numri jo i paktë i njësive që rezultojnë të parregullta, tashmë do t’iu nënshtrohet penalizimeve. Për subjektet juridike mësohet se për 87 subjekte ka dalë vendimi i bllokimit të llogarive bankare, në shumën që i detyrohen njësisë së vendorit. Për pjesën tjetër po bëhen procedurat përkatëse. Janë rreth 19 subjekte fizike për të cilat gjithashtu janë hartuar gjithë procedurat dhe do të shkojnë për ndjekje penale. Ligji për procedurat tatimore ka një nen që përcakton edhe veprat penale dhe një ndër to është bërja e evazionit fiskal me dashje, akt ky që klasifikohet te veprat penale. Subjekte të tilla mësohet se do t’i kalojnë sektorit juridik dhe pastaj do të shkojnë në prokurori, teksa vijon puna për bllokimin e subjekteve të palicencuara. Për javën në vijim, mësohet të jenë bërë gati 35 urdhra bllokimi. Ndër to janë njësi që ushtrojnë aktivitet në tregti me pakicë, bare apo lojëra fati.