E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet në mes të Tiranës profesori i Diabetit

Në mes të ditës, në mes
të kryeqytetit, në prani
të dhjetëra dëshmitarëve,
një 35-vjeçar
ka plagosur me thikë mjekun
Agron Ylli, duke i shkaktuar plagë
të rënda në bark. Ngjarja ka ndodhur
dje në mesditë, në zonën e
"Shallvareve" në Tiranë, ku mjeku
50-vjeçar po debatonte me një
të afërmin e pacientes së tij. Në
gjaknxehtësi e sipër, Bujar Valiasi
ka nxjerrë nga brezi thikën dhe
ka qëlluar një herë mbi trupin e
mjekut 50-vjeçar, duke shokuar
të gjithë të pranishmit. Këta të
fundit lajmëruan ndërhyrjen
e shpejtë dhe i plagosuri është
transportuar në gjendje të rëndë
në Spitalin Ushtarak në kryeqytet.
Mjekët thanë për gazetën
se në fillim gjendja e "kolegut"
të tyre ishte kritike, pasi plagët
rrezikonin disa organe, por pas
ndërhyrjes kirurgjikale gjendja
është përmirësuar, ndërsa në orët
e pasdites së djeshme mjeku ishte
jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në vendngjarje ka
mbërritur një patrullë e policisë,
e cila ka marrë në pyetje dëshmitarët,
ndërsa pas një mobilizimi
është arritur të kapet autori i
ngjarjes, i cili është Bujar Valiasi.
Sipas të dhënave të policisë,
mjeku Agron Ylli, që mban gradën
"Asistent Profesor", i njohur mes
mjekëve në spitalin "Nënë Tereza"
si një ndër specialistët më të mirë
të tiroideve dhe diabetologjisë,
është qëlluar para klinikës së tij te
"Shallvaret", pas refuzimit për të
plotësuar një fletë kempi. Një goditje
me thikë në bark nga autori
Bujar Valiasi, 35 vjeç, ka dërguar
në Spitalin Ushtarak në gjendje
të rëndë për jetën mjekun prej 26
vitesh në këtë profesion. Ngjarja
ka terrorizuar të gjithë personat
dëshmitarë në vendngjarje. Burime
nga policia thanë se sulmi
ndaj doktorit ka ndodhur pas
kërkesës së autorit Valiasi, i cili
kishte paciente bashkëshorten e
tij në këtë klinikë private. Autori
ka hyrë në klinikë për të marrë
një raport kempi për gruan e tij
të sëmurë nga tiroidet. Duket
se mjeku Ylli ka kundërshtuar ta
plotësojë raportin, çka ka sjellë
edhe plagosjen e menjëhershme
të tij. Dëshmitarët thanë për policinë
se ka pasur debate, por ata
nuk kanë mundur të ndërhyjnë
për shkak të frikës. Policia ka
dyshime të forta se Bujar Valiasi
nga fshati Kashar ka hyrë në klinikë
me paramendim për të qëlluar
mjekun me thikë. Policia ka si
provë të fortë marrjen e armës
së ftohtë në shtëpi. Sipas tyre,
autori i plagosjes është kapur në
kushtet e flagrancës dhe për këtë
ka ndihmuar edhe patrullimi i një
shërbimi policor pranë zonës. Policia
tha se autori është paraqitur
gjakftohtë, por nuk deklaroi nëse
ai është penduar.

Godo, shqetësim për mjekun e plagosur

Ministrja e Shëndetësisë, Anila
Godo, ka dënuar ashpër
agresionin ndaj mjekut Agron
Ylli. Menjëherë pas ngjarjes së
djeshme, ku mjeku është goditur
me thikë nga një 35-vjeçar,
duke rrezikuar seriozisht jetën,
ministrja Godo ka shkuar për
t‘u interesuar mbi shëndetin e
tij në Spitalin Ushtarak, ku ai ka
marrë trajtimin e menjëhershëm.
Godo është takuar me grupin e
mjekëve që kanë kryer operacionin
e doktorit të plagosur dhe ka
qëndruar në ambientet e Spitalit
Ushtarak deri në përfundim të
kësaj ndërhyrjeje. Më tej Godo ka
marrë edhe garancinë nga mjekët
kirurgë se kolegu i tyre, 50-vjeçari
Ylli, ka dalë jashtë rrezikut për
jetën, ndonëse gjatë ditëve në
vijim ai do t‘u nënshtrohet mjekimeve
intensive nga ana e stafit
mjekësor të këtij spitali. Sot titullarja
e një prej institucioneve
më problematike në vend, Godo,
pritet të dalë në një konferencë
për të bërë publik qëndrimin e
Ministrisë së Shëndetësisë ndaj
këtij rasti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›