Lleshi, presidenti i ri i xhudos
Anton Lleshi është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Xhudos. Drejtuesi i ri i këtij sporti u zgjodh dje, së bashku me katër anëtarë të Komitetit Drejtues, pas punimeve të Asamblesë Zgjedhore. Presidenti i këtij institucioni paraqiti një raport mbi objektivat e realizuara në vitin 2008 dhe një raport financiar të federatës për vitin e kaluar. Ndër të tjera, në punimet e saj asambleja miratoi edhe projekt-kalendarin për vitin 2009, si dhe buxhetin që FSHXH-ja do të ketë në dispozicion për 12 muajt në vazhdim. Gjithçka është bërë në praninë e përfaqësuesve të klubeve shqiptare të xhudos dhe shoqatave sportive. Punimet u zhvilluan pa asnjë problem (ashtu si ka ndodhur së fundmi në zgjedhjet e mundjes apo së fundmi edhe në KOKSH) e korrektësia është përshëndetur edhe nga Ministria e Sporteve. "Asambleja e Xhudos u zhvillua konform statutit tip të miratuar në asamblenë vjetore në janar 2008", theksuan zyrtarët e MTKRS-së. Në fund, në këtë asamble u miratuan edhe disa shtesa, të bazuara në ligjin e ndryshuar "Për Sportin" nr. 9376, të datës 21 prill 2005.