Masakroi çiftin Pasho në Itali, i futi në 4 valixhe. Dënohet me 30 vite burg Elona Kalesha

36-vjeçarja shqiptare, Elona Kalesha është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e dyfishtë dhe masakrimin e bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, prindërit e ish-të fejuarit të saj, Taulant Pasho.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2015, por gjetja e trupave të Shpëtim dhe Teuta Pashos u gjetën 5 vite më vonë, në vitin 2020, brenda katër valixheve në një fushë në periferi të qytetit, midis autostradës Firenze-Pisa-Livorno dhe burgut Solliçiano.
Elona Kalesha është e vetmja e akuzuar për vrasje të dyfishtë. Ajo u dënua sot me 30 vite burg nga gjyqtarët e Gjykatës së Assizes në Firence.
Hetimet arritën në përfundimin se trupat e copëtuar i përkisnin Shpëtim dhe Teuta Pashos, të zhdukur prej 5 vitesh (2015-2020).
Sipas hetimeve, dyshimet ranë mbi rrethin familjar të bashkëshorteve Pasho, konkretisht mbi Elona Kaleshën, të fejuarën e atëhershme të djalit të tyre, Taulant Pasho.
Taulant Pasho sapo kishte dalë nga burgu dhe prindërit e tij kishin udhëtuar për në Itali për ta takuar por gjetën vdekjen. Sipas hetimeve Elona Kalesha po priste një fëmijë nga një burrë tjetër.
Kjo ka qenë arsyeja, që 36-vjeçarja vrau dy prindërit e të fejuarit të saj, pasi u druhej çiftit Pasho pasi mund t’i tregonin të vërtetën djalit të tyre se fëmija nuk ishte i tiji.
Në procesin e sotëm ku Kalesha u dënua me 30 vite burg ishte i pranishëm edhe Taulant Pasho.
“Ajo është fajtore dhe vendimi thotë të njëjtën gjë. Është e vështirë për mua që ta komentoj. Kam jetuar dhjetë vjet me këtë person”, është shprehur ai.
Taulanti ndoqi leximin e vendimit të gjykatës së bashku me dy motrat e tij Dorina dhe Vito, të cilat shpërthyen në lot, transmeton Sky Italia.
Ndërkohë xhaxhai i tyre, Dritani kishte veshur një bluzë me foton e të vëllait të tij dhe gruas së Shpëtimit, Teuta.
/rtsh.al/