E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakron të atin se dhunonte nënën

I rrihte të ëmën, masakron babanë dhe e dërgon në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës, ku një student 25-vjeçar në Vlorë, nga lagjja “28 Nëntori”, tentoi të vrasë babanë e tij rreth orës 14:00 për shkak të dhunës që ai ushtronte në mënyrë sistematike kundër nënës së tij. Arben Abazi e tërhoqi zvarrë në rrugë të atin e më pas nisi ta qëllojë me një mjet të fortë. Fillimisht e goditi në grykë, e më tej në kokë e pjesë të tjera të trupit. Pas thirrjeve për ndihmë të të atit, erdhën fqinjët e tyre, të cilët fillimisht hezituan të afrohen nga tërbimi me të cilin godiste i riu babanë e tij, por pasi ai e hodhi tej mjetin, u afruan duke ia hequr nga duart të atin 53-vjeçar. Petrit Abazi u dërgua menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin e Vlorës, por mjekët thonë se ai po lufton me vdekjen si pasojë e goditjeve të marra. Ndërsa djali nuk lëvizi nga vendi derisa erdhën forcat e rendit dhe e arrestuan. Fqinjët e familjes thonë se bashkëshortët Abazaj ziheshin shpesh me njëri-tjetrin. Me ta jeton vetëm djali i madh, ndërsa Arbeni që tentoi të vrasë babanë është student në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e muzikës dhe ishte kthyer në shtëpi për festat e fundvitit, ndërsa është bërë sërish dëshmitar i rrahjes së nënës.

4 Janar 2000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›