E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat e ashpra në Greqi, Trojka do japë shpjegime në PE

ATHINE - Trojka, që përbëhet nga përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, do të vizitojë Parlamentin Evropian më 27 mars, për të shpjeguar programin që është imponuar në Greqi dy vitet e fundit. 

Atje, sipas deputetëve të PE, do të bëhen "pyetje serioze për të justifikuar pse këta njerëz panë nevojën për veprime të tilla". Deputetët e PE kanë vendosur të kërkojnë shpjegime të hollësishme për recetën e kursimit të ndjekur në Greqi, nga drejtuesi i ekipit Paul Thomsen, nga Mathias Morse dhe Claus Mazouch.

Lajmin e bëri të ditur eurodeputetja socialiste Marilena Koppa së bashku me tre anëtarët e “Trojkës alternative” (treshe e përbërë nga Robert Gebels, ish ministër i Financave të Luksemburgut, Elisa Ferreira, ish ministre protugeze e Planifikimit dhe Ivaylo Kalfin, ish zëvendëskryeministër bullgar për Ekonominë, të cilët ishin në Greqi, për të parë nga afër situatën dhe për të përgatitur një raport, që do ta paraqesin për debat në Parlamentin Evropian). 

"Më 27 mars Trojka do të japë përgjigje reale se si është e mundur që të imponohen masa të tilla në një vend, dhe si njerëz pa legjitimitet të shfaqin një sjellje të tillë ndaj popullit grek," tha eurodeputetja Koppa.

Në të njëjtën gjatësi vale ishte edhe Robert Gëbels, shefi i “Trojkës alternative". "Memorandumi i dytë dhe mënyra se si ai u imponua mbi popullin grek na kanë lënë të kuptojmë se ka një motiv ideologjik prapa. Kjo na shqetëson. Kjo është llogaridhënie demokratike në BE, ku për herë të parë do të bëhet një kontroll demokratik i anëtarëve të Trojkës", tha ai. “Qëllimi, është që të institucionalizojmë kontrollin e Trojkës nga Parlamenti Evropian, për shembull cdo 3 muaj, edhe pse kjo mund të aplikohet vetëm për Morse Mathias, i cili përfaqëson BE-në”. “Trojka alternative”, në maj dhe do të përgatisë një raport dhe do ta paraqesë për debat në Parlamentin Evropian

Kjo është hera e parë që anëtarët e Trojkës ftohen të japin shpjegime para një komisioni të Parlamentit Evropian. Kërkesa për të pyetur Trojkën në Parlament, u bë nga grup deputetësh socialistë evropianë, pasi kreu i Grupit Parlamentar, Hanes Svoboda iu dërgoi një letër komisionerit evropian për Ekonominë, Olli Rehn dhe presidentit të KE, Hoze Manuel Barroso, ku denonconte sjelljen e Trojkës në Greqi si "arrogante dhe kolonialiste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›