E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë. Pollo: I nevojshëm për zhvillimin e politikave. INSTAT: Të dhënat, për demografinë e popullsisë

01-10-2011 / Gazeta 55

12 mijë anketues zbarkojnë në terren

Punonjësit e Institutit të Statistikave nisin sot punën në terren për mbledhjen e të dhënave për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave të njohur dhe si Censusi “Shqipëria 2011”. Plot 12 mijë anketuesit të trajnuar nga Instituti i Statistikave, do të trokasin në dyert e shqiptarëve për të filluar procesin e regjistrimit. Projekti do të shtrihet në të gjitha zonat e vendit dhe do të përfundojë më 21 tetor. Deri në këtë datë të gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri duhet të plotësojnë 40 pyetjet e pyetësorit, prej 32 faqesh. Pyetjet janë të ndara në dy kategori. Pyetjet e para, që kanë të bëjnë me detyrim përgjigjeje, lidhen me identitetin e qytetarit, të dhënat mbi ndërtesën apo banesën e tyre. Pyetjet e dyta, që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike e fetare, janë me vullnet të lirë, pra jo me detyrim përgjigjeje. Përgjatë 3 javëve anketuesit e INSTAT do të mbledhin të dhënat në terren dhe më pas në nëntor pritet të dalin rezultatet paraprake të këtij procesi, ndërkohë që rezultati final do të dalë në 2012-ën. Ekspertët e INSTAT shpjegojnë se qëllimi kryesor i censusit është që të mbledhë të dhëna për realitetin demografik, ekonomik e social të vendit. Dje ministri i Inovacionit, njëkohësisht kryetrari i Komisionit Qendror të Censusit, Genc Pollo i bëri apel qytetarëve të marrin pjesë në këtë proces duke i kërkuar të anashkalojnë thirrjet kundër këtij procesi dhe të japin të dhëna. “Është rasti për të theksuar rëndësinë e këtij procesi. I bëj apel të gjithë qytetarëve, për të dhënë informatat e veta duke dhënë një kontribut për vendin familjen, në mënyrë që tëkemi rezultate të sakta, të besueshme, pasi në të gjitha nivelet e vendimmarrjes do të kemi një mundësi më shumë dhe një instrument më shumë për të përmirësuar jetën tonë”- deklaroi një ditë më parë, Pollo. “Nëse kemi patur një debat dhe disa thirrje të tepruara, sot është momenti t’i lëmë pas këto çasje e të bashkëpunojmë të tërë në këtë proces madhor. Kërkoj bashkëpunim nga të gjithë sepse është një detyrim dhe një kontribut që gjithsecili jep për veten e tij” - nënvizoi më tej ministri i Inovacionit.  Censusi i cili llogaritet i 11-ti pas shpalljes së pavarësisë, do të kushtojë 14 milionë euro.
Ndërsa 1 milion lekë të vjetra është gjoba për të gjithë ata që mashtrojnë me të dhënat personale apo refuzojnë plotësimin e formularit.
Një familjar mund të përgjigjet dhe për të tjetër nëse ata nuk ndodhen në shtëpi.
2 pyetjet e fundit, ato për fenë dhe etninë, janë fakultative dhe në rast se 5 % e shqiptarëve refuzojnë t’i përgjigjen, nuk mund të të merren në konsideratë dhe si rrjedhojë nuk përfshihen në rezultatin final.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›