“Pjesëmarrja në Census, detyrim moral për çdo shtetas qytetar”

Nis sot regjistrimi i Popullsisë, Censusi “Shqipëria 2011”, qeveria, apel zyrtar shqiptarëve
Në vigjiljen e Censusit të popullsisë dhe banesave, INSTAT organizoi dje një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e ministrit për Inovacionin dhe TIK, Genc Pollo, drejtoreshës së INSTAT, Ines Nurja, si dhe eksperti i EUROSTAT, P. Everaers. Në deklaratën e tij për mediat ministri Pollo tha se “në 1 tetor, si dhe javët në vijim të këtij muaji do të zhvillohet Censusi kombëtar për popullsinë dhe banesat, ndërsa është rasti për të theksuar edhe një herë rëndësinë e këtij procesi dhe rëndësinë e të dhënave, që do të mblidhen gjatë muajit tetor, për të njohur veten dhe për të ndërtuar politikat tona, në nivel qeverie qendrore, vendore, organizata të ndryshme të shoqërisë civile, si dhe në nivel individual dhe familjar”. Si kryetar i Komisionit Qendror të Censusit, ministri Genc Pollo falënderoi për punën e bërë INSTAT, Pushtetin Vendor si dhe theksoi sigurinë që puna e mirë e bërë deri tani do të vazhdojë edhe në periudhën kritike që janë javët e muajit tetor. “Në mënyrë të veçantë do të doja të falënderoja armatën e madhe të anketuesve, kontrolluesve dhe mbikëqyrësve, që nesër (sot) fillojnë punën reale pas një trajnimi intensiv. Disa prej tyre i kemi të pranishëm këtu dhe është kënaqësi t’i përshëndesim ballë për ballë. Këta janë veprimtarët e vërtetë të Censusit”, tha Pollo. Ministri Pollo i bëri apel qytetarëve të marrin pjesë në këtë proces duke kërkuar anashkalimin e thirrjeve kundër regjistrimit të popullsisë. “Unë do të apeloja te secili prej tyre që, me krenari të bashkëpunojnë me Censusin, me krenari të deklarojnë të dhënat e veta, d.m.th. të banesës, të familjes, të personit, te anketuesi përkatës, sepse në këtë mënyrë jep një kontribut për vendin, një kontribut për veten, një kontribut i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kjo, në mënyrë që të kemi rezultate të sakta dhe të besueshme, sepse me këto rezultate, të gjitha nivelet e vendimmarrjes, nga niveli i lartë qendror, deri te niveli individual do të kemi një mundësi, një instrument më shumë për të përmirësuar jetën tonë”, deklaroi ai. Pollo solli në vëmendje se ka pasur debate dhe thirrje të tepruara për Censusin, por koha është për të bashkëpunuar dhe jo për ndasi. Sipas Pollos, pjesëmarrja në procesin e regjistrimit të popullsisë është detyrim moral për çdo shtetas shqiptar. “Ndonëse gjatë periudhës përgatitore të Censusit, që nga janari i një viti më parë e deri në javët e fundit, kemi pasur një debat, kemi patur ndoshta edhe disa thirrje të tepruara nga një lagje apo nga një tjetër, sot është momenti t’i lëmë pas këto qasje dhe të bashkëpunojmë në këtë proces madhor të Republikës së Shqipërisë. Ne kërkojmë bashkëpunimin e gjithë qytetarëve të Republikës, jo se ka masa administrative apo gjoba, por sepse është një detyrim qytetar në radhë të parë individual; është një thirrje për të bashkëpunuar, sepse është kontributi që gjithkush jep për veten, familjen dhe vendin e tij. Masat e marra nuk kanë të bëjnë fare me një grup të caktuar apo tjetër, qoftë i shumicës apo i pakicës; është thjesht një normë standarde që nuk është kryesore, madje është anësore në këtë proces. Kryesorja është vetëbesimi i çdo individi që është qytetar dhe banor i Shqipërisë dhe dëshira, madje krenaria për të deklaruar atë që është, për të thënë se ku banon dhe për të shpjeguar rrethanat e veta personale dhe familjare. Dhe unë kam shumë besim që qytetarët dhe banorët e këtij vendi do ta bëjnë këtë pa përjashtim. Dhe kjo, për të sjellë rezultatin që të përmirësojë të ardhmen tonë, por edhe për tu bërë të krahasueshëm me të dhënat e tjera që mblidhen në vendet e BE-së, dhe në vende të tjera të mbarë botës”, tha më tej, kryetari i Komisionit Qendror të Censusit, Genc Pollo.
...