E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimet me Drajzerin dhe Zolanë…

Gjej një kryevepër të letërsisë botërore të përkthyer apo përktheje nga e para, ndërroji titullin, hidhe në treg dhe fitimet nuk do të mungojnë. Pirateria e librit ka pushtuar tregun shqiptar. Ky është një fenomen që po lulëzon kohët e fundit në tregun e librit. Kjo është një pirateri e cila ndodh në një kohë kur është miratuar ligji "Për të drejtën e autorit" dhe "Për librin në Republikën e Shqipërisë". Në stendat e librarive ka shumë më tepër përkthime. Nisur nga sasia, e kupton se edhe fitimi është më i madh. Përkthimet zënë pjesën dërrmuese të tregut të librit. Në trotuaret e kryeqytetit shikon të rreshtuar libra të klasikëve të mëdhenj të letërsisë botërore, që në pamje të parë të duken të rinj. Kur lexon titujt, fillon dhe mendohesh nëse është përkthyer ndonjë vepër e re e Drajzerit, Zolasë. Për momentin tundohesh, sepse gënjehesh nga titulli dhe kopertina dhe blen libra që nuk kushtojnë pak, por 700 lekë ose 7 euro. Kur e hap dhe fillon ta lexosh, kupton që janë vepra të përkthyera më parë nga kolosë të shqipes, por që ribotohen me tituj të rinj. Kjo është një shkelje flagrante që fillon që nga abuzimi me të drejtën e autorit, të përkthyesit dhe rishtypjen e librave. Kompania "Lika publishing" po e praktikon këtë metodë vitet e fundit, kryesisht me veprat e Teodor Drajzerit dhe Emil Zolasë. Në të gjitha veprat përkthyes është zoti Ramiz Lika. Mashtrimi më i madh i lexuesit është kur të njëjtin libër e shet me kopertina dhe tituj të ndryshëm. Romani "Krimet e një gruaje", shkruar nga Teodor Drajzer, është përkthyer fillimisht nga zoti Ramiz Lika. Më pas, i njëjti roman rihidhet në treg po nga kjo kompani, por e botuar në një shtëpi tjetër botuese dhe me titull të ndryshuar. "Fati i keq i gruas së mirë" është titulli i ri që i vendos zoti Lika veprës së Drajzerit. Kopertina është e ndryshme nga e para. Por sapo hap faqet e para të të dy librave, shikon se teksti është i njëjtë. Nëse vazhdon shfletimin, bindesh se nuk ka asnjë ndryshim në tekst. Madje të dy librat mbyllen me shënimin e përkthyesit "Koplik 1999". Në një nga trotuaret e kryeqytetit gjetëm një roman të Emil Zolasë, "Mallkuar dita që më lindi!". Në kopertinën e tij është fotografia e një femre me një pistoletë në dorë. Kur e merr në dorë këtë roman, mendon se është ndonjë vepër e re. Me dyshim fillon e shfleton. Por shpejt e kupton se personazhet janë të njëjtë me personazhet e romanit të këtij autori, por që titullin e ka "Lumturia e damave". Megjithëse përkthyesi nuk është i njëjtë, pasi ribotimi me titull të ndryshuar ka si përkthyes përsëri zotin Ramiz Lika, gjen paragrafë të njëjtë në të dy librat. Në përkthimin nga origjinali të vitit 1999, në faqet 477 dhe 478 gjen dialogë të njëjtë me ata që lexon në romanin e hedhur në treg nga "Lika publishing" në faqen 207. Po ky shqipërues, pjesën e dytë të romanit "Një tragjedi amerikane" e ka botuar me titullin "Viktima e dashurisë së gabuar". Kush e ka lexuar veprën origjinale, e kupton se personazhet janë të njëjtë. Titulli i romanit në origjinal është "An American Tragedy", por në ribotimin e tij të fundit në Shqipëri, titulli ka ndryshuar kryekëput nga origjinali. "Financieri" i Drajzerit është transformuar në "Bukurinë e përdhunuar", shqipëruar nga zoti Ramiz Lika dhe i hedhur në treg përsëri nga "Lika Publishing". Pasi lë dy-tre faqet e para pa u përkthyer, vepra e shqipëruar nga zoti Lika vazhdon me tekst të njëjtë në shqip me atë të përkthyer vite më parë. Pra mungojnë edhe fragmente, duke u hequr të drejtën lexuesve të rinj të kësaj vepre që të njihen me veprën e plotë të Drajzerit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›