Qytete të tëra të rrafshuara, rëndohet bilanci
Për dy ditë, Li Ke Lai, ishte i mbërthyer nën rrënojat e shkollës Vudu. Mjekët i kishin sjellë më herët një serum. Ndërkohë, dje, skuadrat e shpëtimit të ushtrisë, mundën të largonin edhe bllokun e fundit të betonit që e mbante të bllokuar dhe 12-vjeçari shpëtoi. Ushtarët brohoritën. Infermierët vrapuan t‘i matnin pulsin. E në fakt, ai ishte një i mbijetuar i rrallë e fatlum. Një tjetër burrë, rrinte dhe shikonte teksa 12-vjeçari dërgohej në spital. Sytë i kishte të mbushur me lot dhe zëri i dridhej. "Vajza ime është atje poshtë. Dje e dëgjoja tek qante dhe thërriste ‘mami, babi!‘. Sot ajo hesht". Një vinç lëviz mbi rrënoja. Skuadrat e shpëtimit, tani kanë pak shpresë për qindra fëmijët e tjerë që janë nën blloqet e betonta. Koha po kalon edhe për dhjetëra e mijëra të tjerë, të bllokuar brenda ndërtesave të rrafshuara nga tërmeti më vdekjeprurës që ka parë Kina në dekada të tëra. Dje u raportua se më shumë se 50 mijë njerëz kishin vdekur apo figuronin të zhdukur në provincën Sichuan. Agjencia shtetërore e lajmeve, "Xinhua", citonte zëvendësguvernatorin e provincës që thoshte se duke u bazuar në shifra ende të pasaktësuara, 14,463 njerëz ishin konfirmuar të vdekur, rreth 26 mijë të tjerë ishin varrosur nën rrënoja, ndërsa rreth 15 mijë figuronin të zhdukur. Bilanci i të vdekurve është rritur orë pas ore e po ashtu edhe numri i të lënduarve ndërsa ekipet e shpëtimit i afroheshin qyteteve më të afërta me epiqendrën e tërmetit. Ushtarëve iu deshën dy ditë rrugë më këmbë që të arrinin Uenchuanin, qytetin në zemër të shkatërrimit. Sipas raporteve të para, atje janë 500 të vdekurit e konfirmuar, por 60 mijë të tjerë mungojnë ende në apel. Një pushim i shkurtër i shiut që kishte penguar helikopterët t‘i afroheshin zonës i dha një impuls të ri punës së skuadrave të shpëtimit. Dhe ushtarët e parë në fakt, mundën të hynin dje në qytetin Jingxiu, në provincën Uenchuan dhe zbuluan se situata ishte shumë herë më e rëndë nga ajo e pritshmja. Nga popullata prej rreth 10 mijë banorësh e qytetit, vetëm 2300 kishin mbijetuar dhe 1000 prej tyre ishin plagosur rëndë. Të mbijetuarit atje kishin nevojë të dëshpëruar për ndihmë, ushqime dhe ujë, raporton "Xinhua". Helikopterët e ushtrisë hodhën dje ushqime dhe ilaçe nga lart në fshatrat e thella malore që janë izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve si pasojë e rrëshqitjeve të dheut. Kolona prej dhjetëra mjetesh të ushtrisë kanë transportuar skuadrat e shpëtimit edhe drejt rajonit të goditur rëndë, Mianzhu. Punonjësit e emergjencave thanë se numri i të vdekurve ishte rritur në 3 mijë dhe rreth 500 njerëz ishin nxjerrë të gjallë nga godinat e shembura. Skuadrat e shpëtimit nuk kanë gjetur ndërkohë 19 turistët britanikë, që po udhëtonin në Uenchuan në momentin e tërmetit. Uen Xhiabao, Kryeministri kinez, që ka qëndruar në Sichuan për të drejtuar përpjekjet e shpëtimit, u zhvendos dje në Beichuan. Ai urdhëroi dërgimin e 3 mijë mjekëve dhe infermierëve në zonat e prekura. "Dhimbja juaj është edhe dhimbja jonë", tha ai në televizionin shtetëror.