Mashtrimi i madh
Ardit Rada
Kryeministri shquhet për llogari të rralla matematikore dhe kontroll absolut mbi njerëzit e tij. Për këtë arsye, është e vështirë të përtypet teoria që ai gaboi aq shumë, sa më në fund, fati i shndriti Bujar Nishanit për tu bërë presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë, aq më tepër në vigjilje të 100-vjetorit të shtetit. Sali Berisha ka treguar se është makiavelist dhe asgjë nuk e bën papritur, të pamenduar dhe pa skenarë afatgjatë.
Në rastin e presidentit, ai gaboi me Xhezair Zaganjorin, gaboi me Artan Hoxhën dhe në fund e çoi situatën deri në atë pikë, sa u detyrua të kërcënonte deputetët e tij me zgjedhje të parakohshme. Tashmë, ky shantazh është marrë vesh dhe është pranuar në heshtje, për aq kohë sa nuk është kundërshtuar nga asnjë anëtar i grupit kuvendor të Partisë Demokratike. Por, këto nuk janë thjesht veprime berishiane.
Nuk dua të ngre në qiell kultin e Berishës, por kushdo që e njeh sadopak kryeministrin, e kupton që ai nuk mund të gabonte aq lehtë me Artan Hoxhën. Berisha e dinte që Hoxha kishte qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit. E dinte sepse ky ishte një nga arsyet përse kryeministri Aleksandër Meksi i propozoi presidentit Sali Berisha shkarkimin e Artan Hoxhës në vitin 1994, ndërsa Hoxha mbante postin e ministrit në kabinetin Meksi. Berishën nuk mund ta ketë lënë aq shumë kujtesa. Kryeministri gaboi duke hedhur në garë pa asnjë strategji anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori.
Ai dogji një kandidaturë, e cila në letër dukej goxha e mirë. Më pas u detyrua të shpikte aty për aty kandidaturën e Bujar Nishanit dhe të përplasej fuqishëm me Jozefina Topallin dhe Ridvan Boden. Nëse Berishën e shohim si makiavelist, atëherë duhet peshuar mirë ideja që e gjitha mund të ketë qenë një kurth.
Kryeministri ka përgatitur gjithçka deri në detajin më të vogël dhe më pas ka preferuar të luajë rolin e budallait, për tu hedhur hi syve të ambasadorëve dhe të pakënaqurve në partinë e tij. Një vit më parë, ai tregoi se i kishte llogaritur në mënyrë të përkryer më shumë se 250 mijë votat në kutitë e Tiranës, duke pasur në xhep edhe skemën e kthimit të rezultatit, ndërsa sot ai gabon tek një llogari kaq e thjeshtë. Paksa e vështirë për tu pranuar…