E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shekspirizmi” si arsye universale!

Unë isha atje, në teatrin e Shakspeare-it ku u zhvillua deri në datën 9 qershor 2012 i pari Festival Ndërkombëtar Shekspirian me të gjithë veprën e tij, titulluar nga autorët dhe organizatorët në mënyrë të goditur si: “Globe to Globe, 37 plays - 37 language!”(Globi në Globus (teatër) 37 lojëra teatrore në 37 gjuhë). Aktiviteti filloi në 21 prill, me shfaqjen “Venusi dhe Adonisi”, të vënë në skenë nga një trup anglishtfolëse e Afrikës së Jugut dhe u mbyll nga trupa angleze me “Henrin V” që është edhe shfaqja e sezonit për vet teatrin. Të gjitha veprat e Shakspeare-it, në gjuhë të ndryshme të botës nga të katër anët e globit. Si mund të konvertohet ndryshe e gjithë kjo botë që flet me gjuhë teatri me arsyen shekspiriane dhe me filozofinë e dramës, tragjedisë dhe komedisë, krijuar nga gjeniu anglez?! Gjykoj se ajo mund të riformulohet si një arsye universale që nuk tretet, sepse është e vetëmjaftueshme fal substancës gjithëfrymëzuese! Shekspirologët kishin qëllim të paraprinin me këtë festival, (të parin në llojin e vet,) “Lojërat Olimpike” të Londrës.
Në klimën e një universaliteti gjithëpërfshirës me materien shekspiriane të arsyetimit, ata dëshironin të skanonin botën dhe njeriun në këtë mijëvjeçar, duke vënë në provë gjithçka, si edhe ndodhi atëherë kur gjeniu anticipoi në gjithëkohësi! Qëllimi i këtij festivali nuk ishte konkurrimi i grupeve të ndryshme, bazuar në kritere rigoroze të estetikës së teatrit dhe në principe kualifikimi, ku gjithçka paraprovohet që nga turet skualifikuese dhe deri tek identifikimi i kushteve strikte; të cilat do të ravijëzonin nevojën e uniformizimit të shekspirianizmit teatror, në të parin festival i veprës së tij të plotë. I vetmi kriter është, se rekomandimet e organizatorëve janë realizuar fal studimit të thellë, për të gjetur një përputhje adekuate që rezonon artin me realitetin, deduksionet shekspiriane që nuk “plaken” me nevojat e sotme për ndryshim, fabulën artistike me ngjarjet reale që zhvillohen në ditët tona, skenën teatrore me botën teatër. Në një shikim të shpejtë e gjejmë të motivuar caktimin e pjesëve nga organizatorët.”The Merry Wives of Windsor” u luajt nga një kompani teatrore nga Kenia. Zgjimi i materies femërore në kontinentin Afrikan është tashmë një funksion social në derivate njerëzore preokupuese. “Pericles” - I ishte caktuar Teatrit Kombëtar të Greqisë. A nuk ka nevojë ky vend të rikthehet tek “Golden Age” e Perikliut, për të dalë nga kjo gjendje ku është zhytur, aq sa që duket se duhet të krijojë një tragjizëm të ri universal, për të shërbyer si një tjetër themel për civilizimin perëndimor, fort të tronditur nga pushteti i parasë. “Timon of Athens” i ishte dhënë kompanisë shekspiriane të Bremer - Gjermani. A mundet Greqia e sotme ta drejtojë timonin e fatit jashtë darës gjermane të financave që duket se e ka zënë si në një morsetë hekuri, ku përpëlitet jo thjesht njeriu në nevojë, por i tërë fati njerëzor i rrezikuar. Bota po bjeret, ky është leksioni që nuk humbet kuptimin. “Julius Caesar” u vu në skenë nga italianët e kompanisë së Termini-t. Italia e tronditur e skandaleve lyp një shkëlqim të ri, veçse real dhe të përligjur. Fati i qytetarit të parë të Romës që mbeti i vrarë në senat në 15 mars të vitit 44 para Krishtit, tregon që thikat që therin institucionet janë ende atje, nën hijen e intrigës për pushtet. Gjaku derdhet fal atentateve mafioze të cilët nuk kursejnë deri në majat e hierarkisë shtetërore. U bënë 20 vite nga atentati mafioz kundër Xhovani Falkones. Tendencat për ta shndërruar Italinë nga një Republikë Parlamentare në një Republikë Presidenciale me një autoritet që lidhej me pushtetin e energjisë hidrokarbure që vinte nga lindja, nuk është se munguan në dekadën e fundit në këtë vend! “King Lear” u vu në skenë nga Teatri i Lirë i Biellorusisë! Në një vend diktatorial, jehona shekspiriane e fatit të një mbreti që në fund u braktis edhe si njeri, është një paralajmërim për këtë tirani, ku sundimtari Lukaçenko; shprehet se “unë qëndroj në pushtet sepse populli ende me voton”. Vitet e lavdishme të një Anglie që u zgjerua fal betejave të fituara nga Henri V-të, jo më kot i është lënë trupës së “Globus Theater”. Jetojmë në kohën kur ata që kishin menduar se me monedhën Euro do të pushtonin botën e tregjeve monetare, duken se dështuan. Një madhështi britanike mbi Francën dhe të tjerët, është epërsia e identitetit të tyre historik, ku individualiteti nuk kolektivizohet sepse paktet politike shkojnë e vijnë, por interesat dhe tregjet mbeten si përmbajtja e sovraniteteve që nuk mund të tjetërsohen! Në atë festival nuk mund të mos ishte Ballkani me historinë, marrëzitë, luftërat dhe frymëzimet që shpesh e shkundin Europën në pavetëdijen e saj, ose në atë lloj indiferentizmi tipik, që e shpie flakën deri tek kullat e saja! Turqit me politikat euroaziatike ishin në festival me Antony&Cleopatra. Ndërsa hapësira sllavo-maqedone, ata që qysh nga viti 1346, kur të dielën e pashkëve në Katedralen e Shkupit, Stefan Dushani, u kurorëzua Perandori i serbëve dhe grekëve nga Kryepeshkopi serb që ai vet e kishte e emëruar patriark, e futën në një darë, si në një nofull morfologjike luftërash shekullore, antropologjinë arbnore - shqiptare. Ja përse Henri VI – ky triptik historik, si kronikë e një lufte gati 100-vjeçare, ku trëndafilat shndërrohen në gjemba të vdekjes, brenda vet mbretërisë për fronin, por edhe me fqinjët francezë, ju caktua tre trupave ballkanike. Kjo është një materie dramatike e tragjike e Shakspeare-it, ku burojnë dashuria dhe urrejtjet, kurthet dhe kokat e prera, pjellat e çifteve mbretërore të kryqëzuara nga ana etnike, dhe njëherësh verbëria e njerëzve aventurier. Në të gjithë këtë dekor populli si një turmë e qorre hidhet sa nga një krah në tjetrin, gjithmonë me dëshirën për të mos patur institucione sepse aventura që shpaguan me grabitje, është për të, sfondi i dukshëm ndaj intrigës së pallatit. Shekspirologët këtë vepër tejet voluminoze (jo nga më të mirat e autorit) ja ngarkuan Teatrit Kombëtar të Serbisë (Henri VI-pjesa e parë), teatrit Kombëtar të Shqipërisë (Henri VI-pjesa e dytë) dhe Teatrit Kombëtar të Bitola Maqedoni(Henri VI-pjesa e tretë). Gjetja është e goditur. Le të mësojmë nga historia e luftërave anglo - franceze për të ndaluar luftërat dhe vdekjet e sotme në rajonin ballkanik. Hapësirë kjo ende ku mentalitetet nacionaliste vijojnë të ushqejnë përrenjtë e rrëmbyeshëm të urrejtjes etnike dhe kokat e prera nuk ndalen të vijnë si jetët e këputura në mes edhe në ditët tona!
Lypet një paqe, mjaft më me luftë. Principet kristiane mund dhe duhet të udhëheqin shpirtrat e trazuar që të dalin nga dallgët e patologjisë së urrejtjes! Si thotë Shakspear-i tek Henri VI pjesa e dytë: “Nëse do të mund të vija pranë bukurisë suaj, me thonjtë e mijë do të vendosja 10 porositë (aludohet me 10 porositë e Moisiut) e mija në fytyrën tënde!” Ballkanasit, me sa duket ende kanë nevojë për këtë lloj pastrimi!
* * *
Prej vitesh e kisha pasur dëshirën e skajshme që një ditë të isha atje, tek ai teatër dhe fati më bekoi me realizim. Si edhe thuhet, “ne mund t’i shohim të gjitha ëndrrat por jo të gjitha mund t’i takojmë!” Kur mbërrita në Londër me grupin e Teatrit Kombëtar, mu bë sikur një hije më erdhi fare pranë. Përpiqesha ta shikoja qartazi, ta identifikoja, por se sa kthehesha nga ajo, e humbja nga shikimi. E ndjeja që nuk më shqitej. Më kishte dyzuar në qënien time. Monologu i Makbethit që më kishte rënë në tezën e provimit të maturës, në vitin e largët 1973, më erdhi sa kaq në mëndje, disi i riformuluar, jo si origjinali: “A është kamë kjo që shoh përpara, me dorezë nga dora ime, bëj ta kap dhe s’e kap dot, e të shoh aty akoma”. Hija ma riformuloi, si: “A është hije kjo që shoh përpara, me drejtim nga ana ime, bëj ta kap dhe s’e kap dot, e të shoh aty akoma!” Vetëm ditën e fundit e kuptova se e kujt ishte ajo hije. Tek lija në mëngjes hotelin me emrin tingëlluese “All Seasons”, hija më priste për shoqëri. Me të shkova në “British Museume” dhe më shoqëroi në të gjitha eksponatet e objektet. Nuk m’u shqit tek bleva librat dhe dukej sikur më thoshte jo këtë, për atë tjetrin duhet të lexosh. Vijova tek “National Gallery” dhe hija paraprinte si një tregimtar i moçëm që, krejt pa u vënë re të thoshte me gjuhën e heshtjes, se ku do duhej të ndaloje më gjatë dhe ku jo aq. Tek dilja nga hoteli në rrugën Southwark Bridge, e ndjeja që hija më priste atje, anës derës e më fliste me një gjuhë që dukej si ato buzët që kryejnë aktin, por nuk e lëshojnë zërin. Nga hapja dhe mbyllja e tyre, do duhej të kuptoje mesazhet e një tingëllimi shpirtëror paramaterial, thellësisht kuptimor. Niseshim drejt “Globus Theater” së bashku, duke u futur fillimisht në rrugën “Sumner Street” dhe ktheheshim pas 30-40 hapash në të djathtë, e hynim në rrugën “Emerson Street”, e cila mbyllej buzë lumit Tamiz. Diku, tek 20 metrat e fundit, kjo rrugë fati, kishte edhe një emërtesë shtojcë që, e bënte atë të veçantë në të gjithë Londrën. Ky Fragment ishte pagëzuar, “New Globe Street!” Sa domethënës aq edhe provokues ky formulim. Globi e ri është Teatri, apo një botë që sillet si e re, sa herë që e rimerr performancën tek magma shekspiriane e atij teatri të drunjtë?! Apo mos vallë përballë një bote në krizë, pushteti dhe lufta për të vlen në gjithëkohësi, si prizmi ku zbërthehen të gjitha ngjyrat e shpirtit njerëzor, nga më të errëtat deri tek ato më të ndritshmet?! Është e vjetër sa vetë jeta, se do duhet të rregullohet njeriu. Këtë postulat, si rrallë kush Shakspeare-i e kishte kuptuar dhe analizuar në një “rontgen” deri në dritëhijet më fundore! Si thotë gjeniu i fjalës teatrore, tek vepra Henry VIII: “Ju keni fytyra engjëjsh, por vetëm streha e zotit njeh zemrat tuaja”. Duhet mbajtur në mendje si një refren se; “burimi i drejtpërdrejtë i veprës së artit është aftësia njerëzore për të menduar….Në çdo rast, një aftësi njerëzore që nga vet natyra e saj është edhe e hapur ndaj botës, edhe komunikuese, përcjell dhe lëshon në botë një intensitet të apasionuar, që zë fill nga burimi i saj brenda vetes”. Shakspeare-i si një filozof i arsyes dhe ushqyes i saj, në të gjithë veprën e tij, edhe kur na bën të qajmë, edhe kur na gostitë me qeshjen, ka si ngrehinë dramatike e etike, raportin e universalitetit të vlerave njerëzore morale me providencën dhe veten. Është marrëdhënia morale e njeriut me perëndinë sipas kriterit të Platonit,” se jo njeriu, por zoti është masa e të gjitha gjërave.” Sot fal një udhëtim grykës që njeriu ka kryer në trasenë e tregut dhe të pasurisë, është fatkeq si i mbytur në botën e sendeve dhe e sundon ajo që quhet në epokën tonë “instrumentaliteti nën maskën e dobisë”. Kjo botë sendesh pasuror e sundon njeriun duke filluar që nga jeta dhe gjithçka që gulon në ujërat plotë zhgulmë të saj, e deri në vdekje. Kur hyra tek ai tempull i drunjtë, hija mu davarit, humbi dhe u strehua në një librari të pasur dhe objekte me emrin Shakspeare. E humba mendjen për një çast. Isha futur atje. Ishte e vërtetë. Hija qe ngurtësuar në një bust të gjeniut, i errët në ngjyrë! I thellë në shikim! Shpotitës në përjetim! I athët në morfologjinë trupore! Menjëherë e bleva. Sa kaq, mu bë se dëgjova një gjuhë enigmatike që më tha: “Ky është trupi im, që nga dita e vdekjes.” Brenda asaj statuete kishte një mesazh të gjatë ende të pa çkoduar. Vepra e tij e plotë në gjuhën angleze, ishte pasuria e madhe që morra atje brenda në Globus Theater. Statuja më sqaroi; “Ky është shpirti im, një pergamen i gjatë që po të doni mos e merrni seriozisht. Por nëse, atëherë unë nuk mbaj kurrfarë përgjegjësie për fatin e botës. Dikur ne njerëzit e donim më shumë magjinë e fjalës!” Kjo vepër, gjykoj se është udhëzuesi gjithëkohor për të kuptuar njeriun, universin, pushtetin, ndjenjat, dashurinë, intrigën, shpagimin, marrëzitë, kllapitë, dufet, anarkinë, të vobegtin, cmirën, kokën e prerë, helmin, thikën pas shpine, durimin, besnikërinë, përunjësinë, hokatarin, budallallëkun, luftën, universin femër, pasionin e shfrenuar të shtratit të përdhosur, floririn, dialogun me zotin, kulturën e antikitetit dhe atë që do të vinte në kohët moderne. Hija kishte qenë e mjeshtrit të teatrit dhe unë po e takoja atë. Bisedat me hijet e Gjenive, janë magma frymëzuese largimit nga shterpësia e mendjes, e cila e largon pjellorinë dhe e shkëputë njeriun nga Athinaja sepse e zhvesh qenien njerëzore nga misionet universale! Kaq pranë Shakspeare-it, tek shtëpia e tij! Mbrëmjeve të vona shëtita tek ato lokale ku me kupën e verës dhe puthjen e buzës, ai gjente frymëzimin, lagte majën e penës zhytur në kallamrin e ndjenjave dhe afsheve njerëzore! Ishte njeri i frymëzimit tallazues!
Në ditët e provave, të linin mbresa të thella, vizitat që i bëheshin teatrit. Njerëz të ndryshëm, nxënës shkollash me një qetësi si në shfaqje, ndiqnin aktorët në skena apo tablo të ndryshme. Kujdesi i tyre ishte gati delikat sepse ai që shkruajti në gjuhën e tyre angleze, do të sillej në skenë në gjuhë të ndryshme të popujve të botës, të cilat e kishin strehuar universin shekspirian duke marrë nga shpirti i tij dhe duke i dhënë nga shpirti i tyre! Ky dialogim semantik ishte sa i çuditshëm po aq edhe pasuronjës! Edhe pse bota është hallakatur në një pluralizëm artesh utilitare e populiste. Edhe pse konvertimet e kryeveprave në forma komunikimi të thjeshtëzuara dhe jo fortë estetike janë shpërfytyronjëse të origjinalit, ato ngjajnë me atë që thoshte Viktor Hygoi, se “shushunja që thith gjak luani nuk shndërrohet dot në luan”! Ka ende tempuj që nuk rrëzohen. Ka ende guaska gjigande që nuk e braktisin perlën e vet. I tillë është teatri shekspirian Globus.
* * *
Muzikanti i shquar dhe dirigjenti me famë botërore Bernshtejn, është shprehur se përsosmëria takohet tek muzika e Bethoven, tek fjala e Shakspeare-it, dhe tek pikturat e Mikelanxhelos. Veprës së tyre nuk mund t’u hiqet asgjë, ndryshe prishet harmonia. Po ja që organizatorët e këtij Festivali, për arsye organizimi sugjeruan që pjesa e dytë e Henrit VI, që u vu në skenë nga trupa e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, nuk duhet të ishte më e gjatë se 2 orë e 10 minuta. Kështu, nga vepra u hoqën pjesë të tilla, si një monolog i mrekullueshëm i mbretëreshës Margaret kur i pritet koka Lordit Safolk, të dashurit të saj. Henri VI. Pjesa e dytë, vihej për herë të pare në skenë (ka një përjashtim, ishte realizuar e plotë nga amerikanët si trilogji) dhe në raport me të dy pjesët e para, dallon goxha! Pushteti i intrigës dhe intriga për pushtet, përqasen në një raport therës në derivatin e fatit të pushtetit dhe pushtetit të fatit! Njeriu dhe turma njerëzore luhaten paturpësisht nga pushteti që ndërron pushtetmbajtësin, tek kllapitë në veprime komplotuese dhe të aleancave pa princip; vetëm e vetëm për fronin që, duket më shumë si një krater zjarri, se sa një fron pushteti. Regjisori serb Nikita Milijovic i cili ka vënë pjesë në Suedi dhe në SHBA, e shihte fronin e pushtetit dhe autoritetin e tij, jo thjeshtë tek një karrige madhështore. Ai kishte sjellë në skenë karrige llamarine, që herë silleshin si mburoja në luftim, herë si tambure të kushtrimit që mbanin ritmin vringëllues të betejave, por mbi të gjitha si karrige rreth një tavoline të madhe metalike; ku në gjithëkohësi qarkullojnë mesazhe dhe vendosen fatet e popujve dhe të krahinave, të pushteteve dhe të gjeopolitikës, të njeriut dhe të kombeve, të atdheut dhe të hapësirave tokësore. Copëtimi i asaj tavoline gjigande, si krahina që kafshoheshin në luftërat Anglo-Franceze, linin të kuptoje mes insinuatës propagandistike përfundimin: “Pse e copëtuat ish-Jugosllavinë”? Pse tavolina e fuqive të mëdha ku merren vendimet, na i vranë djemtë tanë në luftëra! Brenda kësaj logjike, gjithçka ishte e konvertuar nga fjala shekspiriane, e cila humbiste, tek komunikimi me skenografi, pantomima e koreografi individuale e në grup, veprime këto që realizoheshin në një perfeksion. Ka momente, që për të treguar përdhunimin dhe lënien shtatzënë të vajzave e grave franceze, me gjeste tregohet fryrja e barkut dhe shfryrja përdhunuese, si dhe gjuajtja e pjellës si të ishte një top futbolli drejtë publikut. Personalisht nuk e pëlqeve atë shfaqje, jo si të paragjykuar nacionalisht. Mu duk si tallje me historinë. Nuk më ngacmoi brenda qenies time! Nuk pata ndjeshmërinë që lind nga një vepër arti si pa të marrë leje. Adonis Filipi, regjisori ynë, e kishte konceptuar fronin mbretëror si një objekt me rrota, lëvizës, i pasigurt, si edhe ishte realisht në pjesën e dytë pushteti i Henrit të VI. Pas vdekjes së të atit Henri V-të, ai ishte fillimisht nën një Lord Protector. Me martesën me bukuroshen franceze, ai lëshoi territoret e fituara në fushën e betejës. Në shfaqjen e dytë të trupës sonë, ndodhi diçka pikante. Magjistarja e intrigës për pushtet, interpretuar nga Marsela Lena, e lëshoi në fund të shfaqjes fronin që mbante mbi vete kurorën si kapele letre. Si me magji, era që frynte atë ditë në Londër, e lëvizi karrigen e drunjtë që kishte në skenë si e drejtuar nga shpirti magnetik shekspirian, U duk se do të shkonte të rrokullisej, aq sa mund të dilte jashtë skenës. Publiku anglez filloi të bënte uuuuuuaaaaaaaaaa, deri sa ajo mbërriti në mes të skenës. Atje në gjysëm rrotullimi ndaloi. Në të çast një ofshamë prishi qetësinë që mbretëronte tek publiku londinez i cili e derdhi emocionin në duartrokitje të gjata, madje shumë të gjata që u shoqëruan me bravo përgëzuese. Ishte një përjetim i mrekullueshëm sa artistik aq edhe njerëzor. Ata kishin mbajtur frymën pezull. Disa syresh në lozhat e katit të dytë, e ndoqën pjesën duke dëgjuar tingëllimin e shqipes dhe duke ndjekur në origjinal mesazhin kuptimor të fjalëve. Gjesti flet shumë. Publiku londinez, nuk mund të ngopej se komunikimi i kumteve të veprës të ishte thjesht gjestikular, koreografik, pantomimë apo muzikë live e ekzekutuar, nga një orkestrinë; si edhe ndodhi në shfaqjen e grupit maqedonas të Bitolës - Manastir. Spektatorët anglez, në kulturën e tyre genuine teatrore, kanë vetëdijen se gjithçka e shkruajtur nga Shakspeare-i në teatrin e tij, ka qenë “Magjia e Fjalës” që tingëllon aq e thellë, aq magjiplote dhe aq tallazuese, në ndryshimin kozmogonik të botës dhe njeriut.
(vijon në numrin e nesërm)

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›