"Mashtrimi" me ekspozitën e britanikes Patricia Nugge
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, shfrytëzon çdo rast për të dalë në kronikat televizive dhe në faqet e gazetave, duke u bërë reklamë e iniciativave kulturore, që nuk sjellin asnjë risi për publikun shqiptar. Rasti i fundit ishte ekspozita e hapur 10 ditë më parë, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, nën kujdesin e vetë asaj. Më 30 prill 2008, sekretarja e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Britani, Patricia Nugge, prezantoi koleksionin e saj me vepra të shekullit XVI dhe XVII, kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në të gjitha mediat u pasqyrua lajmi për hapjen e kësaj ekspozite, nën kujdesin e veçantë të zonjës Topalli. Duke përshëndetur hapjen e kësaj ekspozite, ajo falënderoi fondacionin kulturor "Nugge", që në bashkëpunim me Kuvendin bënë të mundur këtë ekspozitë kaq të veçantë historike. Kjo ekspozitë u cilësua "e veçantë historike", ndërkohë që as zonja Topalli dhe as organizatorët nuk konstatuan se ishte një histori e konsumuar tashmë. Nëse kërkon në arkivat e lajmeve të çdo televizioni apo gazete gjen të njëjtën ekspozitë, të hapur 4 vjet më parë, në nëntor 2004, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Është po zonja Patricia Nugge, e cila prezantoi librat për figurën e Skënderbeut. Në krah të saj është drejtori i atëhershëm i këtij muzeu, Moikom Zeqo dhe ish-presidenti Alfred Moisiu. Madje, në atë ceremoni, zonja Nugge u dekorua nga Moisiu. Në mjediset e MHK-së në vitin 2004 u ekspozuan 150 vepra të koleksionuara ndër vite gjatë punës së zonjës Patricia Nugge, në një librari të Londrës. Pra, asgjë të re nuk na solli ekspozita e hapur 10 ditë më parë në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, nën kujdesin e veçantë të zonjës Topalli. Ajo siç duket nuk e dinte që e njëjta ekspozitë ishte hapur në Tiranë në nëntor 2004, kur u shpreh se "ky koleksion i vyer vjen në Tiranë, pas suksesit të ekspozimit në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj". Organizatorët e këtij aktiviteti duket se nuk kanë qenë asnjëherë as në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, përderisa nuk e informojnë Kryetaren e Kuvendit se veprat që zonja Nugge prezanton në ekspozitën e saj, ekzistojnë në pasurinë e kësaj biblioteke dhe nuk përbëjnë as 10% të veprave që kjo bibliotekë ka për periudhën skënderbegiane. Nëse zonja Topalli do të ishte në dijeni të këtij informacioni nuk do të kishte deklaruar e sigurt: Kësaj radhe, publiku shqiptar do të ketë rastin për të vëzhguar nga afër librat e rrallë në hollin e Kryesisë së Parlamentit.
Vitin e kaluar, në Ditën Botërore të Librit, Biblioteka Kombëtare ka ekspozuar 100 eksponate të tillë të botimeve letrare për Skënderbeun, të shekujve XVI-XVII e kështu me radhë. Këtë na e konfirmoi drejtori i bibliotekës, zoti Aurrel Plasari. Sipas tij,
Kryeministri Sali Berisha, vjet, në Ditën Botërore të Librit i bëri Bibliotekës Kombëtare tri dhurata, dy prej të cilave shumë të çmuara. Ishte një botim i dytë e Lavardenit, që është i plotësuar dhe biblioteka nuk e zotëronte, si dhe një nga botimet italisht nga më të vjetrat të Barletit. Vetëm Biblioteka Kombëtare, koleksionet skënderbegiane të atyre shekujve mund t‘i ketë rreth dhjetëfish më të mëdha, përveç pjesës së koleksioneve që nuk ndodhen në Shqipëri, por janë në biblioteka të huaja dhe të mikrofilmuara.