E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria në moshën e internetit

Zyrat e ekzekutivit shqiptar u dukën të ishin tronditur rëndë dy ditë më parë. Shkaku nuk ishte vendimi i gjykatës për caktimin e masës së arrestit të shtëpisë për drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. As procesi hetimor për tragjedinë e Gërdecit dhe pasojat e saj. Natyrshëm nuk mund të ishte rritja e vazhdueshme e çmimeve, që shkon në përpjesëtim të drejtë me boshatisjen e xhepave të shqiptarëve. Kjo ka kohë që nuk përbën interes për qeveritarët e lartë.

Një faqe interneti, me domain të ngjashëm me atë të Këshillit të Ministrave, vuri në lëvizje aparatin e zotit Berisha. Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun harxhoi mund dhe kohë të përgënjeshtronte një faqe interneti. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Në këtë hapësirë virtuale jepeshin informacione që cenonin figurën e kreut të qeverisë. Kaq mjaftoi që ndihmësit e zotit Berisha t‘u kujtonin mediave adresën zyrtare përmes një njoftimi për shtyp. Nëpunësit e Kryeministrit sqaruan se "përdorimi nga çdo faqe tjetër interneti i të dhënave dhe fotove të regjistruara të faqes zyrtare të Këshillit të Ministrave, në kundërshtim të plotë me ligjin, përbën spekulim të turpshëm dhe cenon imazhin e Shqipërisë dhe tërë shqiptarëve". Ndërsa nuk harruan të na thonë se njoftuan organet hetimore, të cilave u kanë kërkuar gjetjen dhe ndëshkimin e autorëve. Po, po, kërkuan hetim nga prokuroria për të mos përqeshur figurën e Kryeministrit.

Në fakt, do të ngjante shumë më mirë nëse këta nëpunës do të kishin të njëjtën vëmendje për dhunimin e simboleve kombëtare në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës. Kjo e fundit, aspak pirate, aspak e manipuluar, por tërësisht e pranuar nga autoritetet vendore. Me një aksion të tillë, stafi i Kryeministrit përtej fanatizmit ndaj figurës së Berishës, dëshmoi gjithashtu një mungesë ulëritëse të profesionalizmit. Të caktuar në Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun e duke dashur të mbrojnë shefin e tyre, ndikuan bash në të kundërtën. Shërbyen për të maksimalizuar efektin e një faqeje humoristike, informacionet e së cilës acaruan qeverinë. Njoftimi për shtyp, shoqëruar me faqen e internetit (për hir të së vërtetës pak njerëz e kishin parë) ishte në faqet e para të shtypit të ditës. Pa dashje, stafi i kreut të ekzekutivit rriti në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e vizitorëve në www.këshilliministrave.org. Hartuesi i saj do të jetë ndjerë tejet i kënaqur, teksa media dhe faqja zyrtare e qeverisë po i bënin një reklamë pa paguar asnjë qindarkë.

Reagimi i zyrës së shtypit mund të konsiderohej deri diku si një rënie në grackë amatoreske apo veprim i nxituar. Por, pak orë pas njoftimit për shtyp, çështja mori tjetër drejtim. Vetë Kryeministri u prononcua për këtë "problem". Këtu, faji u mbetet edhe kolegëve gazetarë, që në morinë e pyetjeve që duhet t‘i bënin shefit të qeverisë gjetën kohë ta pyesnin edhe për një faqe interneti. Thua se ajo ishte më e rëndësishme se shumë probleme emergjente, me të cilat qytetarët ndeshen çdo ditë. Zoti Berisha u përgjigj se: "Hakers-at? Ata janë të përbotshëm. Edhe vendit me procedurat elektronike më të zhvilluara në Evropë, Estonisë, i ndërhynë, jo vetën në faqen e zyrtare, por në të gjitha faqet e internetit. Do të merren masat më të forta të sigurisë, në mënyrë që të parandalohen veprime të tilla klandestine". Deklaratë kjo më qesharake se sa vetë informacionet e publikuara në faqen dublante. Kreu i qeverisë, që kohë më parë na lançoi "Shqipërinë në moshën e internetit", duket se nuk ka as njohuritë minimale nga kjo fushë. As këshilltarët e tij të supershkolluar, që nuk ngurrojnë të afishojnë gjatë masterat dhe trajnimet e tyre brenda dhe jashtë vendit, nuk i kishin ardhur në ndihmë.

Faqja "e famshme" e internetit nuk ishte sulm mbi websitin zyrtar, ishte thjesht një domain i ngjashëm me përmbajtje humoristike. Kryeministri duhet të ishte informuar se "hakers-at", që të ishin të tillë do të kishin bërë ndërhyrje në faqen zyrtare dhe jo në një dublante. E nëse një çështje e tillë do të ishte kaq delikate, faqja humoristike www.whitehouse.org do të kishte mjaftuar që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëhej nami. Por shefi i qeverisë shkon më tutje teksa paralajmëron masa të forta sigurie për parandalimin e këtyre veprimeve. Pra, zoti Berisha do të ndalojë përdoruesit e internetit të krijojnë faqet e tyre. Më shumë se kaq, nuk është çudi të ndalojë përdorimin e fotove të tij në internet. Zot na ruaj, se qeveria na la!...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›