E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çarja te Juridiku, Kule i drejtohet prokurorisë

Një kallëzim penal është depozituar në Prokurorinë e Tiranës për firmën ndërtuese që punoi për ngritjen e Fakultetit të Shkencave Sociale në vitin 2004-2005. Në atë kohë dekan ishte ministri aktual i Kulturës, Ylli Pango. Shkak për këtë janë bërë çarjet e murit në fakultetin ngjitur, atë të Drejtësisë. Studentët dhe pedagogët gjenden nën panik, që prej momentit kur u konstatua çarja e murit fillimisht në hollin e Fakultetit të Drejtësisë e më tej në disa nga sallat e leksioneve. Nisur nga ky shqetësim, rektori Kule u shpreh për gazetën "Shqip" se ka bërë një kallëzim penal për firmën ndërtuese. Situata alarmante pohohet edhe nga dekani Skënder Kaçupi. Në një prononcim për "Shqip", ai tha se "është pezulluar mësimi në ambientet ku muret janë të çara, si dhe kemi bërë një kërkesë për ardhjen e një grupi ekspertësh në mjediset tona". Mendohet se problem i çarjeve të mureve në një thellësi prej 10 cm janë bërë punimet për ndërtimin e shtesës së godinës në vitin 2004-2005. Gjatë këtyre punimeve janë dëmtuar themelet e godinës ekzistuese, që është Fakulteti i Drejtësisë. Aktualisht, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe ai i Drejtësisë gjenden në dy godina të ngjitura me njëra-tjetrën. Gjatë këtij muaji është vënë re problemi në muret e katit të parë të Fakultetit të Drejtësisë. Kjo ka shqetësuar jo pak studentët dhe pedagogët, që i kërkojnë dekanit dhe rektorit t‘i transferojnë urgjent në mjedise të tjera. Ndërkohë, rektori pohon se janë vënë në dijeni gjithë drejtuesit e lartë të shtetit, përfshirë edhe Kryeministrin. Deri tani nuk ka asnjë përgjigje, ndaj edhe denoncimi në Prokurorinë e Tiranës u kthye në domosdoshmëri për drejtuesit e UT-së. Ky organ do të hetojë firmën që punoi në shtesën e godinës, si dhe institucionet që e morën në dorëzim, Ministrinë e Arsimit dhe Fakultetin e Shkencave Sociale. Investimi mësohet se ka qenë i Bankës Botërore dhe tre vjet pas punimeve (2008) janë konstatuar problemet e para në godinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›