E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato milionerësh në të gjithë Evropën

Ditët e fundit të këtij sezoni kanë shtuar zërat e merkatos për futbollistë të ndryshëm, të cilët, për një arsye apo një tjetër, mund të ndryshojnë skuadër gjatë merkatos verore. Si zakonisht, një nga klubet më aktive është Çelsi i Roman Abramoviç, i cili është gati të shpenzojë përsëri shuma marramendëse për të ofruar lojtarë cilësorë. Këtë radhë, londinezët po interesohen për një mbrojtës, më saktësisht Serxho Ramos, i cili është kthyer në një prej futbollistëve më të mirë në botë për këtë pozicion. Duke parë se Reali i Madridit i ka rinovuar futbollistit 21-vjeçar kontratën deri në vitin 2013, drejtuesit e Çelsit kanë bërë gati një ofertë prej 70 milionë eurosh. Madrilenët janë në mëdyshje nëse duhet ta pranojnë apo jo këtë ofertë marramendëse për një mbrojtës. Për më tepër, ata kanë nevojë për shuma relativisht të mëdha gjatë merkatos verore, ku synojnë të afrojnë dy prej futbollistëve më të mirë spanjollë, David Vija dhe Çesk Fabregas. Nëse për sulmuesin e Valencias është bërë një ofertë prej 25 milionë eurosh, Kalderon ka vendosur të mos kursehet për mesfushorin e Arsenalit. Sipas mediave spanjolle, ai ka bërë një ofertë të parë prej 45 milionë eurosh për futbollistin, të cilin e ka vlerësuar shumë shpesh si mesfushorin më të mirë në botë. Por kjo ofertë pritet të rritet gjatë javëve të ardhshme, pasi Arsen Venger ka bërë të ditur se lojtari do të largohet vetëm për një shumë të parefuzueshme. Ndërkohë, një tjetër lojtar mund të largohet nga kampionati spanjoll, pasi gazeta "Marca" ka publikuar hipotezën e transferimit të Samuel Eto‘o te Totenhemi. Sipas kësaj gazete, drejtuesit e Barcelonës kanë pranuar parimisht të shesin futbollistin, ndërsa oferta e parë e Totenhemit mendohet të jetë 35 milionë euro. Emri i katërt i madh është ai i italianit Gatuzo, për të cilin Bajerni i Mynihut është i gatshëm të bëjë një sakrificë ekonomike. "Gatuzo është perfekt. Nëse do të dëshirojë të largohet nga Milani, do të bëhej një futbollist i rëndësishëm për skuadrën tonë", u shpreh presidenti i bavarezëve, Franc Bekenbauer.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›