E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasja" e shkollës

Ëndrra dhe qëllimi i njeriut është ndërtimi i njerëzores dhe qytetares, si mënyra autentike e ekzistencës të tij. Ai ka kuptuar se vetëm në mirëqenie mund ta zhvillojë këtë veti. Mirëqenia është e vetmja mënyrë që garanton sigurinë e statusit të arritur dhe mundëson për më tej, sipas ritmit të kohës.

Kështu, njeriu ka ndërtuar institucione të ndryshme, pikërisht për të siguruar mirëqenien. Duke njohur vetinë e tij "botëformuese", ku e shkuara ka një rol të veçantë, zhvillues ose frenues, ai është përpjekur përgjatë gjithë kohës të ndërtojë ekuilibrin ndërmjet së shkuarës dhe së ardhmes. Institucioni që e realizon këtë proces është pikërisht shkolla.

Shkolla është vendi ku merret direkt me mendimin në periudhën kur njeriu është i parritur. Ajo ka për detyrë të gjejë mënyrën më të efektshme për organizimin e tij, jo vetëm nëpërmjet procesit natyror të rritjes, por edhe përmes metodave që vetë njeriu ka ndërtuar në kohëra.

Njeriu ka zbuluar edhe një fenomen në natyrë, që i ka shërbyer për të zhvilluar vetinë e tij botëformuese. Ky është rijetimi i së shkuarës në mënyrë të përshpejtuar. Pikërisht, në këtë fenomen është bazuar ndërtimi i institucionit shkollë; si të realizojë edukimin, si ta zhvillojë mendimin, si ta shprehë, si ta vendosë në shërbim të vetes. Por mbi të gjitha, të zhvillojë vetinë e tij botëformuese për të ndërtuar të ardhmen, me kushtin që të mos mbetet peng i së shkuarës. Të dijë dhe të mund të përdorë dijen. Po nuk u zhvillua kjo veti, njeriu mbetet si të gjitha gjallesat e tjera botëvarfër. Kjo veti zhvillohet nëpërmjet njohjes së punës dhe mendimit të njerëzve që kanë dalluar në kohëra. Këtë detyrë, shkolla e realizon nëpërmjet mekanizmave, si feja, shkenca, arti dhe filozofia. Ajo përgatit njeriun në fazën e parritur për t‘u bërë i rrituri i përgjegjshëm, që mendon dhe vepron jo sipas ngarkesave emocionale, por nëpërmjet të menduarit dhe përgjegjësisë së fjalës.

Kur njeriu ka nevojë për diçka, si ushqime, sende, veshje apo orendi shtëpiake, ai shkon në dyqan, zgjedh, paguan dhe sendet i përkasin atij. E njëjta gjë po ndodh edhe me shkollën. Nxënësit shkojnë në shkollë dhe prindërit, pavarësisht mëson ose jo fëmija, "paguajnë" mësuesin. Kjo mënyrë të sjelluri po gërryen shkollën tonë si një kancer i frikshëm. Është e vërtetë që prindërit veprojnë në këtë mënyrë për të zbutur mësuesin, që ai të mos sillet keq me fëmijën e tyre, por në të njëjtën kohë, fëmijës i kanë "vrarë" shkollën. Me këtë veprim, prindërit i tregojnë fëmijës se shkolla është një "dyqan" si gjithë të tjerët, ku mjafton të paguash dhe sendet janë të tuat. Madje, edhe më keq, i tregon fëmijës se detyra e tij është ecja nga shtëpia në shkollë dhe të qëndrojë në klasë, të tjerat blihen me para. Mësuesi blihet, diploma blihet, vendi i punës blihet. Po vetja a blihet?

Të ndihmosh të parriturin të rritet, pra, të bëhet "botëformues" natyrisht që nuk është e lehtë, por a është zgjedhja më e drejtë kjo mënyrë? A është më e mira? Po i parrituri ç‘fiton? Po e ardhmja si do të jetë? Mirash Ivanaj, ministri i Arsimit në qeverinë e Zogut, ai që realizoi laicizimin e shkollës shqipe, në kohë të tij, tha: "Modernizimi shoqërohet me një pushtim tjetër, që është varfëria morale". Këtë qëllim ka shkolla, të varfërojë moralisht kombin? Ivanaj vazhdoi: "Kombi ndaj këtij reaksioni përgjigjet me arsim dhe edukim kombëtar". Po si realizohet ky edukim? Duke e kthyer shkollën në "dyqan", ku shiten e blihen mësues, lëndë dhe diploma? Pse sillemi kështu?

Kohërat kanë vërtetuar se institucioni më efikas për zhvillimin e vetisë "botëformuese" të njeriut është shkolla. Ajo e ka për detyrë të përçojë emancipimin dhe mendimin qytetar në fazën kur njeriu është i parritur. Për të realizuar këtë mision, që lidhet direkt me të ardhmen e një kombi, nevojiten para. Madje, paraja ka një vlerë të caktuar dhe shumë të rëndësishme në funksionimin dhe mirëmbajtjen e këtij institucioni. E megjithatë, është një prej elementëve që merr pjesë në realizimin e misionit, por jo i tëri dhe jo në këtë formë kaq të vjetëruar e banale.

Kur prindi shkon në shkollë për të pyetur, mësuesi ka vetëm një refren si përgjigje: "Fëmija yt bën zhurmë". Kaq është profesioni i mësuesit? Të konstatojë se një nxënës bën zhurmë ose jo? Sipas kësaj logjike, nxënës i mirë është ai që nuk bën zhurmë? Përvoja botërore dhe ajo e vendit tregon se bërja e zhurmës është e lidhur më shumë me mësuesin se sa me nxënësin. Ky reagim në fakt është tregues për cilësinë e mësuesit: sa i aftë është ai të gjejë formën më të mirë të bashkërendimit me nxënësin dhe klasën.

Është e vërtetë se në shkollat tona numri i nxënësve i ka kaluar shifrat që rekomandohen për realizimin e një ore mësimi eficente. Madje, kjo dukuri po përfshin edhe shkollat jopublike (është vërtetuar shkencërisht se një mësues nuk mund ta administrojë një klasë me 19 nxënës, jo se nuk do, por se nuk mundet, pasi humbet kontrollin me veten dhe konstaton vetëm zhurmën). Po vazhduam me këto parametra, shumë shpejt do të përballemi me probleme serioze. Nëse ndjekim lajmet në stacionet televizive evropiane vërejmë se flitet shpesh për delinkuencën në grup të minorenëve. Në lajme njoftohet se mblidhen komisionet e edukimit apo parlamentarët dhe miratojnë ligje e masa për t‘u paraprirë situatave. Po ne, të rriturve të vendit, a na shkon ndërmend diçka e tillë? A duhet dhe ne të njohim situatën e të mendojmë si të bëjmë më të mirën dhe më të përgjegjshmen si kudo në Evropë? Populli ka një shprehje: "Faji u bë qyrk dhe nuk e veshi njeri". Atëherë kjo mënyrë është kohë e humbur. Koha ka një veti: Po u përdor "ndërtohet", por po kaloi pa u përdorur, shton problemet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›