E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja, zhduket pa gjurmë makina e Gardës së Republikës

Garda e Republikës

TIRANE Pasi kanë realizuar vjedhje makinash të deputetëve, ministrave dhe prokurorëve, tashmë hajdutët kanë kthyer sytë edhe nga automjetet e organeve të zbatimit të ligjit. Një automjet i Gardës së Republikës është vjedhur gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur te rruga Mine Peza, në Tiranë, ku persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur makinën tip Golf 3, ngjyrë vishnje, me targë TR 6976 P, në pronësi të Gardës së Republikës. Automjeti, që mbahej në përdorim nga punonjësi i Gardës Petrit Gjeci, 56 vjeç, është vjedhur gjatë natës, disa orë pasi ai e kishte parkuar në anë të rrugës poshtë pallatit nr.206 ku ai banon. Sapo ka konstatuar në mëngjes se makina e tij e shërbimit nuk ishte më e parkuar në vendin ku e kishte lënë në mbrëmje, Gjeçi është drejtuar për të bërë kallëzim në Komisariatin Nr.3 të Policisë së Tiranës. Burimet thanë se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Ndërsa sipas burimeve nga Policia mësohet se, veç automjetit të Gardës së republikës, gjatë 24 orëve të fundit janë vjedhur edhe tri makina të tjera. Një prej automjeteve që është denoncuar si i vjedhur në Komisariatin Nr.1, tip Mercedez me targë TR 3547 M, është gjetur dhe sekuestruar menjëherë pas arrestimit të autorit të dyshuar, i cili është Artan Sallaku. Ndërsa Policia ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve të vjedhjeve të dy automjeteve të tjera, mjetit tip Benz 250, me targë KO 4966 B, në rrugën Muhamet Gjollesha dhe, një tjetër Benz 250, me targë TR 8696 G, në rrugën Dritan Hoxha. Por veç këtyre rasteve, gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme janë bërë edhe tri njoftime të tjera në sallën operative të Policisë së Tiranës për vjedhje automjetesh. Një automjet tip Hunday, me targë TR 1767 R, e vjedhur pranë kompleksit sportiv Dinamo, si dhe një Opel, me targa TR 3545 M, në rrugën Naim Frashëri. Ndërsa një tjetër kallëzim për vjedhjen e makinës tip Benz 170, me targa TR 6225 T, në rrugën Shemsi Haka, ka rezultuar të ishte pakujdesi e drejtuesit të mjetit, pasi kishte harruar vendin e parkingut dhe e ka gjetur disa orë më vonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›