E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtroi tre persona me 495 mijë euro, greku nën hetim

Liverios ka mashtruar 3 persona në Tiranë duke iu marrë para nën pretekstin se do t'i bënte aksionerë në firmat e tij
TIRANË- Antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës, çon për ndjekje penale një biznesmen grek, pasi vodhi rreth 495 mijë euro nga tre kryeqytetas. Ippokratos Andrea Liverios, 29-vjeç, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, pronar dhe administrator i firmës "Liv Hillding" Sh.P.K. do të ndiqet penalisht pasi akuzohet për veprën penale të mashtrimit. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se 29-vjeçari iu ka kërkuar tre personave shuma të mëdha parash duke u premtuar se do t'i bënte ortakë në bizneset e tij. Por vonesa e tepruar për të marrë fitimet apo paratë e tyre, ka detyruar tre personat të kryejnë denoncim në policinë e kryeqytetit. Kjo e fundit shoqëroi dy ditë më parë biznesmenin grek, i cili pasi u mor në pyetje u la i lirë, deri në përfundim të hetimeve, ndërsa policia i ka bllokuar pasaportën atij me qëllim që të mos dalë jashtë kufirit.
Mashtrimi
Brenda vitit 2007, 29-vjeçari grek Ippokratos Andrea Liverios mundi të përvetësonte një shumë prej 495 mijë euro vetëm nga tre persona. Mësohet se 29-vjeçari posedon një palestër në rrugën "Myslym Shyri" në kryeqytet ku dhe dyshohet se ai ka hyrë në bisedime me tre klientë për t'i bërë ortak në bizneset e tij. Vjollca Çala i ka dorëzuar grekut 200 mijë euro pasi ai i kishte premtuar asaj se do të ishte bashkëpronare në firmën e tij e cila eksportonte qumësht nga Greqia drejt Italisë. Shtetasi grek i ka premtuar Çalas një përqindje fitimi në firmën e tij "Liv Hillding" Sh.P.K. Ndërkohë që paralelisht Liverios ka gjetur edhe dy "bashkëpronarë" të tjerë të cilëve iu ka premtuar se do të ndërtonin pallate. Kështu biznesmeni grek i ka marrë 145 mijë euro qytetarit Nadir Çaushllarit ndërsa 150 mijë euro Skënder Dukës. Kur këta të fundit kërkonin fitimet apo edhe paratë e tyre, 29-vjeçari justifikohej me bllokimet që i kishin bërë ndërtimeve të tij. Mirëpo duket se mashtrimi i të riut grek është diktuar nga tre kryeqytetasit të cilët e denoncuan atë në polici.
Policia
Antikrimi ekonomik-financiar menjëherë pasi regjistroi denoncimet e Çalas, Çaushllarit dhe Dukës, ditët e fundit të muajit dhjetor të vitit të kaluar, nisi menjëherë hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e biznesmenit grek. Ippokratos Andrea Liverios ndodhej në Greqi dhe është kthyer dy ditë më parë. Policia sapo është sinjalizuar për kthimin e Liverios nga Greqia u vu në lëvizje për shoqërimin e tij në ambientet e policisë së kryeqytetit. Burime nga policia thanë se greku u mor në pyetje në prani të përkthyesit të ligjshëm, me vendim gjykate. Në dëshminë e tij, 29-vjeçari ka deklaruar se ua ka marrë borxh paratë tre personave dhe se do t'ua kthejë pasi ai posedon shumë biznese në Greqi dhe ka mundësi për kthimin e parave. Pasi është marrë në pyetje i riu grek është lënë i lirë ndërsa do të ndiqet penalisht. Ndërkohë, që gjatë kontrollit të imtësishëm që u krye në banesën e tij të marrë me qira, policia gjeti dhe bllokoi një sasi të konsiderueshme si dokumente të ndryshme, kontratë shit – blerje, marrëveshje të ndryshme, fatura tërheqje dhe derdhje, karta magnetike bankash si dhe tapi të ndryshme. Gjithashtu atij iu sekuestruan edhe certifikata pronësie të shtetasve të ndryshëm, fotokopje pasaportash të shtetasve të ndryshëm,institucioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›