Vendimi, 25 vjet burg Enver Dondollakut
Ligji shqiptar ia "fal" dënimin kapital krahut të djathtë të Aldo Bares pasi ka kërkuar gjykim të shkurtuar
TIRANË- Legjislacioni shqiptar e shpëton nga vuajtja e dënimit me burgim të përjetshëm krahun e djathtë të Aldo Bares, të arrestuarin në Itali, Enver Dondollaku. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, mëngjesin e djeshëm shpalli fajtor të pandehurin në mungesë Enver Dondollaku për kryerjen e 5 vrasjeve dhe një plagosje të kryer në kuadër të bandës së Lushnjës dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Por, falë legjislacionit shqiptar që i jep të drejtën të pandehurit që të gjykohet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke i pranuar aktet e ndodhura në fashikullin e dosjes, dhe ku i ulet 13 e masës së dënimit automatikisht, i pandehuri duhet të vuajë përfundimisht 25 vjet burg për vrasjet e kryera.
Sipas vendimit, i pandehuri Enver Dondollaku, për llogari të bandës ku bënte pjesë ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e pesë personave, atë të oficerit Kleti Banos, shtetasit Bledar Haxhiu, Artan Sulçe, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirrës dhe tentativës së vrasjes ndaj shtetasit Bernard Linatopit. Ndërkohë, vetëm katër ditë para ndërrimit të viteve, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e të pandehurit Dondollaku me burgim të përjetshëm. Ndërsa, katër ditë më parë, avokati mbrojtës i të akuzuarit si numri dy i Bandës së Lushnjës, Enver Dondollakut, kërkoi pafajësi për klientin e tij gjatë prezantimit të pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes. Sipas mbrojtësit Meçe, prokuroria nuk ka sjellë prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë Dondollakut. Edhe për kundër këtyre pretendimeve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e akuzës, duke vendosur dënimin e tij me burg të përjetshëm. Ndonëse ndodhet ende në Itali, gjykimi i tij u përshpejtua për faktin e mbërritjes në kohë të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara nga gjykata shqiptare. Sipas vendimit, "pas hetimeve disavjeçare dhe procesit gjyqësor, çështja ndaj Enver Dondollakut është ndarë nga katër të pandehurit e tjerë, Dritan Vila, Maksim Çela, Erion Cici dhe Petrit Liçi, të cilët janë dënuar. Pasi është faktuar dhe vërtetuar me anë të dëshmive dhe provave të mbledhura, se edhe i pandehuri Dondollaku gjatë vitit 1999-2003 ka marrë pjesë si ekzekutor në 5 vrasje dhe një plagosje të kryer në kuadër të bandës së Lushnjës".