E Diel, 1 Nëntor 2026

Ajazi: Drogën po e transportoja kundrejt 1 mijë eurove

Rrëfehet në gjykatë ish-shoferi i konsullatës greke në Gjirokastër i akuzuar për trafik droge me Greqinë
TIRANË- Rrëfehet para Gjykatës së Krimeve të Rënda ish-shoferi i konsullatës greke në Gjirokastër, Ilir Ajazi, i cili akuzohet nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të trafikut të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë. Sipas deklarimit të tij të lirë dhënë paraditen e djeshme me dëshirë, ai ka pranuar të tregojë të gjithë mënyrën e organizimit dhe më pas transportimit të drogës nga Shqipëria në Greqi me anë të makinës së tij nëpërmjet pikëkalimit kufitarë të Kakavijës. "Në nëntor të vitit 2004, isha pa punë, kisha pak muaj që isha larguar nga puna që kryej pranë Konsullatës Greke në Gjirokastër. Atëherë, kisha një makinë dhe mendova të punoj taksi për në Greqi, pasi afati i vizës greke nuk më kishte skaduar dhe mendova të rrija afër ambasadës për të pritur pasagjerë. Ka qenë fundi i nëntorit, kur Krenar Sako së bashku me Ilir Elezin më ofruan të bëja një rrugë për në Greqi si taksi edhe pse nuk kisha licencë. Ata më ofruan një mijë euro për të transportuar drogë për ta nga Gjirokastra në Greqi. E pranova dhe me datë 29 nëntor të vitit 2004 u nisa me 3.3 kg drogë në makinë për në Greqi. Rrugës për në drejtim të pikëkalimtare të Kakavijës, policia më ndaloi dhe më gjeti brenda makinës drogën e fshehur. Pas arrestimit tim, policia sekuestroi edhe telefonin ku në bazë të numrave që kam folur dhe dëshmisë sime u bë i mundur arrestimi i bashkëpunëtorëve të tjerë",- tha ai në dëshminë e tij. Më pas gjykata vendos të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor për të marrë në pyetje të pandehurit tjerë të këtij procesi, Krenar Sako, Valter Janaqin dhe Ilir Elezin. Mbi katër të pandehurit rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›