E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtronte në emër të prokurorit që e dënoi 11 vjet më parë, arrestohet

SHKRUAN: Leonard Bakillari 30-04-2011 10:40

Tiranë- Një “prokuror” i rremë dhe bashkëpunëtori i tij në mashtrim përfunduan dje në prangat e policisë, pasi premtonin lirimin e të burgosurve kundrejt 5 mijë eurosh. Renato Përvaza, 36 vjeç, nga Shkodra dhe Mark Paloka, 47 vjeç nga Lezha, u arrestuan nga policia pas denoncimit të familjarëve të një të dënuari, të cilit i ishte premtuar liria në këmbim të parave. Operacioni i koduar “prokurori i rremë” u realizuar paraditen e djeshme, kur të dyshuarit sapo kishin marrë shumën prej 5 mijë eurosh nga familjarët e një të dënuari që vuante dënimin në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Sipas hetimeve paraprake të policisë rezulton se mekanizmi që përdornin dy të arrestuarit kishte si qëllim përfshirjen e njerëzve të drejtësisë në skemën e mashtrimit, për ta bërë atë sa më të besueshme. Historia e Renato Përvazës nuk është e panjohur për organet e drejtësisë, madje as për prokurorin, të cilit ai i përdorte emrin, duke u hequr si ai. Zyrtarisht, policia tha se Renato Përvazi dyshohet të jetë prezantuar si prokuror i Krimeve të Rënda, duke i premtuar një familjeje lirimin e një të burgosuri, i cili vuante dënimin në burgun e Shën Kollit. Me prokurorin Anton Martini atë e lidhte edhe një inat i vjetër, pasi ishte pikërisht ky prokuror që e kishte hetuar dhe dënuar me 4 vjet burg për akuzën e mashtrimit në vitin 2000. Asokohe, prokurori Martini me detyrën e prokurorit në qytetin e Lushnjës, kishte çuar pas prangave Renato Përvazin, i cili dyshohet se kishte përfituar shumë të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, duke i mashtruar si përfaqësuesi i një shoqate bamirëse italiane. Puna më e vështirë për grupin hetimor të asaj kohe ka qenë përcaktimi i origjinës së të arrestuarit, i cili është identifikuar si Riza Bardhi, dhe pretendonte se ishte kosovaro-amerikan. Hetuesit e çështjes tregojnë se pas arrestimit, Bardhi, që tashmë njihet me identitetin Renato Përvazi, kishte mundur të siguronte edhe dokumentin e identifikimit të Interpolit, ndërsa posedonte shumë dokumente të tjera, të cilat rezultuan të gjitha të falsifikuara. Për mashtrimet dhe falsifikimet e kryera, në vitin 2002 ai u dënua me rreth katër vjet heqje lirie. Tashmë, 11 vjet më vonë, Riza Bardhi është rishfaqur sërish “me profesionin” e tij të hershëm, madje duke ndërruar edhe emrin, pasi nga policia është identifikuar si Renato Përvazi. I dyshuari duket se ka kujtuar me detaje hetimin e vitit 2000, pasi nuk ka ngurruar të identifikohet si prokurori që e ka çuar pas prangave. Hetimet tregojnë se Mark Paloka prezantohej si agjent i shërbimit sekret, duke premtuar lirimin e të dënuarit nëpërmjet mikut të tij, i cili ushtronte detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ata kanë mundur të kontaktojnë me familjarët e një të dënuari, çështja e të cilit është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, duke rëndë dakord se i dënuari do të lirohej kundrejt shumës së 5 mijë eurove. Në dijeni të këtij fakti ka rënë edhe prokurori Anton Martini, i cili ka bërë kallëzim në polici për personin që prezantohej si ai për qëllime kriminale. Prokuroria thotë se deri tani është provuar një rast mashtrimi që mban autorësinë e të arrestuarve, ndërsa po verifikohet veprimtaria e tyre në të shkuarën, pasi dyshohet të jenë përfshirë edhe në raste të tjera, duke përdorur të njëjtën skemë mashtrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›