Pinari në gjykatë: 10 “mëkatet” e Patrik Henrit
Ylli Pinari, ish-kreu i kompanisë MEICO, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, ka renditur para gjykatës 10 arsyet pse Partik Henri duhet të përballet me gjykatën. Njësoj si shoku i tij i bankës së të akuzuarve, Dritan Minxolli, ish-drejtori i MEICO-s ka pohuar dje para Gjykatës së Tiranës se amerikani i SAC është përgjegjës për tragjedinë, ndaj ai duhet të përballet me drejtësinë. Sipas Ylli Pinarit, Patrik Henri nuk ka zbatuar detyrimet e tij kontraktuale, duke sjellë pasojat e rënda të tragjedisë së Gërdecit, dhe ai nuk duhet të justifikohet dhe të shpëtojë nga përgjegjësia me deklarime në korrespondencë, por duhet të vijë t'i përgjigjet gjykatës. “Patrik Henri, duhet të vijë të sqarojë deklaratat që ka dhënë, sepse ai nuk thotë të vërtetën dhe gënjen, duke rënë në kundërshtim me dokumentet që ai ka lëshuar e firmosur me ndërmarrjen “Mico”, deklaroi në sallën e gjyqit Ylli Pinari. Më tej, ish-kreu i Ndërmarrjes Shtetërore të import-eksportit të armëve tha se “Patriku do të krijoje profilin e një personi të paditur dhe që nuk kishte informacion për aktivitetin që zhvillonte në Shqipëri. Por Patrik Henri ka qenë në vendin tonë tetë herë dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte me takime me persona e në zyra, ku informohej për investimin e tij, mes të cilave dy takime i ka patur në Dhomën e Tregtisë në Tiranë”. “Patrik Henri gënjen, sepse në fashikujt e dosjes hetimore ka fakse e kontrata të firmosura nga vetë ai dhe për çdo njërën prej tyre është përgjegjësi e tij”-deklaroi ish-kreu i Meico-s. Në deklarimet e tij, i pandehuri Ylli Pinari tha se Henri kërkon të ngarkojë me përgjegjësi të tjerët, kur në fakt në të dyja kontratat me MEICO-n dhe SAC, ai merr përsipër se blerësi SAC do kryeje demontimin dhe në kushte të larta sigurie, sipas kërkesave teknike të sigurisë. “Patrik Henri gënjen edhe kur thotë se Gërdecin ia ka rekomanduar MEICO, pasi dokumentet nuk flasin aspak për një gjë të tillë, sepse ai vetë sugjeron që një fabrikë e vjetër municionesh do ishte vend i mirë”- tha Pinari. Pas kësaj deklarate, gjykata vendosi shtyrjen e seancës me qëllim pyetjen e të pandehurve nga prokuroria në seancën vijuese. Akuzat e Pinarit ndaj amerikanit Patrik Henri vijnë dy ditë pas deklaratës së Dritan Minxollit, i cili gjithashtu ngriti pretendimin se pronari i “SAC” duhet të paraqitet në këtë proces gjyqësor për të dhënë shpjegime.